KreuCelebrity

Ekskluzive/ Arjana Rreli: Dashuria shëron

Ekskluzive/ Arjana Rreli: Dashuria shëron

Nga Nada Biraçi

Fotografia: Andis Rado

Turravrapi i ditës për mjeken psikiatre Arjana Rreli është i vrullshëm, me agjendën e vizitave që duket se në kohët që po jetojmë, bëhet çdo ditë e më e ngjeshur. “Koha më është bërë armike dhe kam një luftë të përditshme me të”; më shprehet doktoresha në një nga komunikimet tona në WhatsApp. Doktoresha që shëron mendjet dhe shpirtrat e trazuar nuk mund të mungonte në këtë numër special marsi të “Bordo”. Nëpërmjet këtij rrëfimi, Arjana na lejoi të njihemi në thellësinë e saj duke ndarë përjetime, ndjesi, emocione si profesioniste e shëndetit mendor, si grua, si nënë dhe gjyshe, e si partnere dashurie me shefin e Urgjencës, Skënder Brataj...

Doktoreshë Arjana, duam ta nisim këtë intervistë me një pyetje shumë të thjeshtë, por edhe të rëndësishme. Si jeni?

Është njëkohësisht e thjeshtë dhe e vështirë t'i përgjigjesh kësaj pyetje. 56 vitet që kam jetuar më kanë dhënë plot forcë dhe energji për të vlerësuar çfarë kam dhe për të vazhduar në çfarë dua. I kam parë sfidat në sy dhe jam ngritur e fortë pas tyre. Kam realizuar objektiva dhe kam synuar të tjera. Jam me fat për shëndetin që kam, për të vazhduar në misionin tim fisnik të të qenit psikiatre. Ndihem e realizuar dhe me fat në dashuri, si nënë dhe së fundmi edhe si gjyshja e Marës. Ndihem plot energji për të vazhduar rrugëtimin tim gjithmonë e gjeneruar nga dashuria e të afërmve dhe miqve të mi shumë të mirë. Më gëzon çdo ditë e imja, takimet me pacientët që unë i quaj, “njerëzit më të mirë të kësaj bote”, rezultate dhe mirënjohja që marr nga këta njerëz, respekti i kolegëve. Më gëzon fundi i ditës me Skënderin, të qeshurat dhe përqafimet e Marës...Lum kush di t'i gëzohet momenteve dhe gjërave më të vogla.

Duket se këto kohë problemet e shëndetit mendor kanë pësuar një rritje. Çfarë mendoni ju se ka ndikuar?

Ka disa faktorë që mund të shpjegojnë rritjen e problemeve të shëndetit mendor në kohët e fundit dhe si psikiatre, po veçoj disa: Stresi i jetës moderne; jetojmë në një shoqëri që krijon mbingarkesë për nga frenetizmi i saj dhe ndryshimet e shpejta. Stresi në punë, pasiguria ekonomike, dhe kërkesat e shumta që i bëhen individëve mund të çojnë në ankth, depresion dhe shpërthime emocionale. Tjetër faktor është teknologjia dhe sidomos përdorimi i vazhdueshëm i rrjeteve sociale, që mund të krijojnë ndjenjë të izolimit, krahasimi me të tjerët dhe rritje të ankthit dhe depresionit. Po ashtu, përhapja e keqinformimit dhe shpërndarjen e stereotipeve dhe paragjykimeve. Pandemia e COVID-19 dhe pasojat e saj kanë shkaktuar një rritje të dukshme të çështjeve të shëndetit mendor, duke përfshirë ankthin, depresionin, dhe ndjenjat e pasigurisë. Mbylljet, izolimi social dhe humbja e të afërmve ka pasur ndikim për t'u shfaqur shenjat e ankthit pas traumës që ishte mbarëbotërore.

Kohët e fundit, ka një rritje të ndërgjegjësimit për shëndetin mendor dhe një mendësi tjetër për të kërkuar ndihmë. Kjo mund të jetë një arsye pse duket se problemet janë rritur, por në të vërtetë mund të jetë një rezultat i më shumë individëve që kërkojnë ndihmë dhe që ndjehen më të hapur për të diskutuar vështirësitë e tyre.

Ju vetë keni përjetuar ndonjëherë episode me probleme të shëndetit mendor?

Zgjedhja për të studiuar psikiatrinë tek unë duket të jetë një thirrje e brendshme, sepse nëpërmjet eksperiencave dhe historive të të tjerëve, unë mësoj shumë dhe kjo gjë më bën më intuitive për të reaguar ndaj stresorëve, duke krijuar kështu një lloj imuniteti pasiv që më bën më pak të prekshëm nga probleme të shëndetit mendor. Por patjetër nuk do të them që unë jam krejt e ftohtë dhe që reagoj pa stres apo ankth ndaj ngjarjeve me ngarkesa të mëdha emocionale. Edhe unë kam dhënë provime, kam humbur njerëz të dashur, kam patur sfida jete sepse edhe unë në fund të fundit jam humane.

Dashuria me shefin e Urgjencës, Dr. Skënder Brataj, çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj?

Ardhja e Skënderit në jetën time plotësoi çfarë një partner në krah të shoqëron dhe të krijon gjithë qetësinë, që për një psikiatër është e qenësishme. Është shumë bukur të mbyllësh me një darkë ditët e mbushura me angazhime, të zhvillosh biseda dhe diskutime, të shijosh fundjavat në Vlorën që të dy e duam kaq shumë, të respektosh reciprokisht njëri-tjetrin, dhe të nisësh gjithçka nga toleranca dhe bashkëpunimi. Kjo është gjithçka çfarë ndryshoi në jetën time me ardhjen e tij.

Jeni bërë ndonjëherë pacient i njëri-tjetrit? Si është për një doktor të ketë pacient një njeri kaq të dashur?

Këtë përgjigje dua ta nis me një batutë të Skënderit. Ai shpesh bën humor kur dikush më komplimenton për profesionin dhe thotë: “Arjana e fillon ditën me mua që jam pacienti i parë!”. Në fakt është e kundërta. Jam unë pacientja e tij. Më kujtohet në një nga ditët e mia të lodhshme ndodhi që gjatë një vizite unë të kisha një gjendje të kompromentuar shëndetësore, që më detyroi të thërras me urgjencë Skënderin. Pasi më kontrolloi parametrat jetësorë, partneri im që atë moment ishte mjeku i Urgjencës, telefonoi 127 dhe më shoqëroi në urgjencën e QSUT-së. Kjo ka qenë hera e vetme kur kam qenë pacientja e tij dhe më duhet ta them që pashë se nuk e kishte aspak të lehtë. Ndërsa gjatë Covid unë tentova të bëhesha mjekja e Skënderit kur ai u infektua, por më pas vendosëm që ndjekjen e tij t'ia kalonim kolegëve dhe mua më mbeti të isha vetëm partnerja e tij e dashurisë gjatë ditëve të izolimit.

Çfarë është dashuria për ju? A shëron dashuria?

Dashuria është kudo dhe në gjithçka, mjafton ta identifikosh me ndjenjë, ta mbledhësh duke e seleksionuar, ta japësh atje ku duhet, ta brendësosh për t'u plotësuar dhe ta shijosh me çdo qelizë të trupit dhe të mendjes; është respekt, ndërveprim, reciprocitet, sinqeritet, bashkëveprim. Është energji që shkëmbehet dhe amplifikohet. Është gjëja më e bukur që mund të ndodhë në jetë, nëse ajo është e vërtetë dhe dypalëshe. Dashuria shëron dhe unë kam parë raste, që kur bashkëshorti ka qenë i përfshirë me dashurinë e tij në zgjidhje, koha e problemit është minimizuar. Aktivizimi i hormoneve të lumturisë nuk mund të ketë kontribuues më të fuqishëm, sesa një dashuri në krah. Për më tepër, për imunitetin tonë ndaj sëmundjeve, dashuria është ilaçi më i mirë. Një pacient që ndjen se dashurohet fort edhe në kushte të vështira rrit vetëbesimin e tij dhe në këtë mënyrë ai heq çdo kompleks për pranuar dhe kuruar problematikat e shëndetit mendor.

 

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF