Lei Kraja, bukuroshja me theksin amerikan, tashmë prej vitesh është pjesë e ekranit shqiptar. Një nga vajzat më të bukura të showbiz-it ka provuar të moderojë disa natyra programesh, nga futbolli, gossip, reality-show e deri te programet për fëmijë, e ndërkohë që Lei hidhet shumë natyrshëm në këto eksperienca, një program që mesa duket nuk do ta shohim kurrë ta moderojë është ai me natyrë politike. Hokatare dhe tejet origjinale, Lei Kraja ka ditur të krijojë identitetin e saj ekran, ndaj në këtë bisedë për “Bordo” moderatorja syshkruar vjen e vërtetë, siç ajo di të jetë.
Lei, cila është rutina jote për një jetesë të shëndetshme?
Rutina ime është të zgjohesh, të lexosh të paktën minimumi 30 minuta në ditë, të bësh ndonjë aktivitet fizik, të takosh njerëzit që ke afër zemrës. Kjo është rutina ime perfekte. Pastaj punën mund ta fusësh në një hapësirë, por mos të jetë jeta vetëm punë.
Si e menaxhon stresin në jetën tënde?
Stresin me miqtë e mi, për çdo problem që kam ju drejtohem atyre dhe “shfryhem”. Dy mikesha shumë të ngushta dhe jam ‘okej’, e heq stresin.
A ke një pasion në jetën tënde?
Pasioni im është thjesht të ha gjëra sa më shumë (qesh), të udhëtoj, mundohem të lexoj sa më shumë, e kam futur vitet e fundit këtë pjesën e leximit.
Përshkruaje veten me tri fjalë?
Jam besnike shumë, emocionale dhe e kam zemrën e mirë, e them me plot modesti sepse realisht zemrën e kam plot me dashuri.
Si do ta përshkruaje stilin tënd të veshjes?
Ndonjëherë e ndryshoj jam sport, por më pëlqen shumë stili i Sophia Loren. Fustanet sa më vajzërore, këtë stil kam shumë qejf.
Cili tipar të pëlqen më shumë te vetja?
Zemra quhet!? (qesh)
Cilët janë disa nga librat apo filmat që të kanë inspiruar?
Libri më i preferuar edhe pse e kam parë filmin, që nuk është realizuar ashtu siç duhet është “Muzeu i Pafajësisë”. E adhuroj si libër, e kam lexuar 3 herë, më ka emocionuar akoma sot qaj. Ma ka sugjeruar Iva Tiço, dhe më ka thënë që do të jetë libri yt më i preferuar dhe ka goditur në shenjë.
Cilat kanë qenë disa nga destinacionet më të bukura që ke udhëtuar?
Çdo destinacion ka veçantinë e vet. Unë adhuroj Londrën, Meksikën, këto vendet e Amerikës Latine, këto janë vendet më speciale. Londrën po mos të jetoja në Shqipëri, do të jetoja në Londër me gjithë qejf.
Mësimi më i madh që ke marrë nga televizioni?
Të mos jesh emocionale, të mos i marrësh gjërat negative për bazë. Mësimi më i madh në televizion është të mos flasësh shumë, domethënë të mos përfshihesh në thashetheme. Nëse nuk përfshihesh në thashetheme, jeton shumë më gjatë në televizion.
Si është të bësh një program me fëmijët?
Program me fëmijët është një eksperiencë shumë e bukur, të mbushin me një energji shumë të pastër, që nuk e merr nga asnjë i ftuar tjetër. Fëmijët janë shumë të sinqertë, kur të bëjnë një kompliment nuk e bëjnë me paramendim ose me skemë, e bëjnë me shumë sinqeritet, kjo me pëlqen shumë. Duhet shumë durim, duhet të gjesh një gjuhë shumë të ngrohtë, që ata të ndihen rehat me ty, kjo ishte sfida më e madhe, domethënë të isha një me fëmijët, që ti bëj ata që të flasin sa më lirisht me mua.
Cila është gjëja më e bukur dhe e vështirë e këtij programi?
Gjëja më e bukur është që jam gjithë kohës me energjinë e pastër të fëmijëve, dhe me mbushin me energji përgjatë gjithë javës. Më e vështira është pjesa e kohës, durimit që ta kenë vëmendjen.
Cili është programi që ke moderuar më me shumë pasion?
Të gjitha i kam bërë me shumë pasion, ndonjëherë më mungon pjesa e sportit, më mungon ai intensiteti që kisha pas ndeshjes, lidhjet ‘live’. Por mund të them programi që kam bërë më mirë është “Pushime On Top”, që më përshtatet më mirë.
Një program që nuk do ta prezantoje dot kurrë?
Politikën, pra nuk bëj dot programe serioze, çdo gjë që ka të bëjë me politikën nuk e bëj dot, sepse nuk jam serioze, sado që të rritem nuk besoj që do më përshtatet kurrë si fushë. Dua gjëra më me humor, që të kem një pjesë ku më lejohet humori.
Një i ftuar të cilin nuk do ta ftoje më?
Çdo të ftuar që kam patur, ka qenë i mirë. I ftuari për mua është mbret, por që mund të kem pak hatërmbetje, duke qenë se bëra dhe videoklipin për të, mund të jetë Bardhi se më bëri dhe ‘unfollow’. Nuk e kuptova pse, shumë mirë jam sjellë dhe me duket pak pa vlerë që e them dhe këtu, por ky është i ftuari që më ka bërë përshtypje për keq. Është super djalë, thjesht nuk e kam kuptuar kurrë veprimin e tij.
Cila ka qenë puna jote e parë?
Puna ime e parë ka qenë te restoranti i mamit tim, ku kam punuar kamariere. Ka patur disa restorante mami dhe aty e kam ndihmuar, kam filluar që në moshën 11-vjeçare ta ndihmoj. Pjesën e restorantit e di shumë mirë, sepse jam rritur aty, ndaj nuk di as të gatuaj, kurrë nuk më ka ardhur radha. Kështu që duhet të mësoj urgjent të gatuaj.
Çfarë rroge të jepte mami ?
Nuk e mbaj mend, por realisht më jepte kartën e kreditit, dhe mjaftonte që t’i bëja ato orët e saja dhe pastaj isha lirisht për të shpenzuar, gjithmonë pa abuzuar.
Cila do të ishte dhurata perfekte e ditëlindjes për ty?
Gjithmonë kam patur qejf këto dhuratat sentimentale, ndonjë gjë që ta mbaj mend gjithmonë. Gjërat që janë më sentimentale janë shumë mirë për mua, nuk është e thënë që të jetë, nga ana materiale. Për mua ka rëndësi personi, që ta bën dhuratën dhe të jetë sa më simbolike, që të jetë gjithmonë afatgjatë në jetën time.
-
Ekskluzive/ Dr. Rezart Deveja, magjibërësi i zemrës!
15 Shkurt, 12:19
Modelimi është ende një profesion për ty?
Modelimi nuk është ende një profesion, e kam qejf si hobi ta bëj herë pas here, sepse pjesa e kreativitetit më mungon në pjesën e modelingut. Unë nuk i kam përmasat e një modeleje, kështu që të flasim realisht jam pak më e mbushur seç duhet për modele, por herë pas here punoj me fotograf sepse më mungon kjo pjesa e fotografisë.
Si e shikon jetën e një modeleje në Shqipëri?
Unë kam respekt për modelet në Shqipëri, sepse është ndonjëherë i vështirë tregu i modelingut. Më pëlqejnë, ka modele pafund të talentuara, më bëhet qejfi që punojnë sepse nuk është aq e lehtë sa duket. Çdo punë është e vështirë prandaj unë çdo punë e vlerësoj.
Televizionin e shikon si punën tënde të jetës?
Televizionin e kam pasion, unë kam mbaruar shkollën për biznes ndërkombëtarë. Sapo mbarova Masterin për Digital Marketing, kështu që bëj punë online. Televizionin gjithmonë e kam konsideruar një pasion, një hobi, e marr në një mënyrë që mos të stresohem, një gjë që ta kem aty si pasion, si qejf, si art. Jo për punë rroge, çdo gjë tjetër është plotësuese.
E shikon veten në një prezantim spektakli?
E shoh por gjithmonë dyshe me një mashkull, më duket i vështirë spektakli, sigurisht që unë përshtatem, jam një person që përshtatem me çdo ambient pune. E shoh pse jo ta bëj një ditë. Unë i kam qejf bashkëpunimet.
Kush është prezantuesja jote e preferuar?
Kam shumë copëza nga secila, më pëlqen Arbana Osmani, Alketa Vejsiu, motrat Vjollca më pëlqen energjia e tyre, Megi Pojani. Kam qejf një miks njerëzish, secila ka atë veçantinë e vet dhe kjo më pëlqen.
Të ka joshur ndonjëherë ideja për të qenë pjesë e “Big Brother”?
Gjithmonë në një pikë joshemi, sepse realisht “Big Brotheri” është spektakli më i parë në Shqipëri, por e dua shumë atë pjesën e privatësisë. Unë jam një person që jam mësuar të kem hapësirën time, nuk e imagjinoj të jetoj me kaq shumë njerëz. Privatësia për mua është më e shenjtë se çdo gjë.
Sa e ndjek, bën tifo për dikë?
E ndjek shumë, çdo ‘prime’ e shikoj. Bëj tifo për Rozana Radin dhe shpresoj ta fitojë. Një grua e fortë me zemër të madhe.
Dikush që nuk të pëlqen aty?
Nuk kam asnjë antipati, besoj që kasti ka qenë shumë i zgjedhur. Mbase më pak i preferuar mund të jetë Jozi, për ca gjëra që ka bërë, kundrejt vajzave, por jo që e kam antipati.
Çfarë është fama për ty?
Fama është që ti të bësh një gjë të mirë për publikun, që të marrësh vëmendje. Pastaj fama ka ndryshuar ndër vite, njerëz që marrin vëmendje nëpërmjet rrjeteve sociale, konsiderohet famë, por për mua është një person që bën diçka me vlerë, të ketë vëmendje dhe respektin e publikut.
Ndjehesh e famshme mjaftueshëm?
Nuk e konsideroj veten të famshme, me duket shumë e çuditshme kur flasim për famë. Po e konsideroj veten person publik, por jam e kënaqur.
Ke patur ndonjëherë bezdi nga fama?
Nuk e kam bezdi, por vlerësoj privatësinë. Nëse gjërat e mia nuk ceken jam shumë në rregull. Nuk dua të futen në gjëra personale. Po m’u cenua privatësia e kam shumë bezdi.
Të ka shkruar ndonjëherë ndonjë fans deri në bezdisje?
Kam fansa djem që më kanë shkruar që në fillimet e mia dhe që më shkruajnë çdo ditë pa i kthyer përgjigje, ose pa i dhënë një shpresë dhe kjo më habit, por jo që më jep bezdi dhe të ndihem e kërcënuar për jetën.
Modelja jote e preferuar?
Kam shumë, por më e bukura është Zana Krasniqi, e kam shumë qejf, më lë pa fjalë çdo herë që e shikoj ‘live’. Si ka mundësi që të jetë një vajzë kaq e bukur brenda dhe jashtë?!
Amerikën e shikon sërish si një destinacion?
Është globalizuar bota dhe besoj shumë që, aty e kam, shkoj shumë shpesh tani. Punoj dhe kam projekte ‘online’, aty është, nuk e kam hequr nga lista.



















