KreuCelebrity

Ekskluzive/ Të pathënat e "Pasaportës" së Eduart Grishajt!

Ekskluzive/ Të pathënat e "Pasaportës" së Eduart

Filmi i fundit i regjisorit Eduart Grishaj sjell një perspektivë unike në kinema mbi fenomenin e emigrimit. I projektuar mbi një skenar të shkruar nga vetë ai, Grishaj ka arritur të realizojë një film bazuar mbi realitetin shqiptar, me xhirime që zhvendosen nga Shqipëria në Itali, e deri në Meksikën e largët, një itinerar i cili ndjek gjurmët e personazheve sipas skenarit real të filmit. Në një intervistë për “Bordo”, regjisori tregon emocionet e filmit “Pasaporta”, i cili u xhirua me plot adrenalinë, në një formë gati ilegale nëpër avionë dhe vende thuajse të paparashikueshme. Grishaj na jep edhe detaje mbi projektin e saponisur me bashkëshorten e tij, Arbana Osmani, rreth “Mirëmbrëma Yje”, por edhe mbi detyrat e tij si baba dhe raportet me fëmijët dhe koha që shpenzon pranë familjes.

Ekskluzive/ Të pathënat e "Pasaportës" së Eduart

Eduart, si është më bukur në set, në xhirime apo ulur në kinema duke parë reagimin e audiencës?

Është shumë më bukur kur je në set, në xhirime përjeton shumë më tepër. Ndërsa kur ulesh me audiencën duket sikur të mbyt, dukesh aq i vogël sepse mendon se çfarë po mendojnë këta. A po mendojnë si unë apo ndryshe? Seti i xhirimeve është një dashuri komplet tjetër. Je në botën tënde dhe mendon vetëm për filmin.

Si kanë qenë komentet deri tani, çfarë reagimi ke marrë nga njerëzit?

Komentet kanë qenë jashtëzakonisht shumë të mira, por nuk është se i marr për bazë 100 për qind, sepse gjithmonë tendenca e njerëzve është të të thonë fjalë të mira. Por kur isha në Londër dhe ishte hera e parë që me këtë film dilja jashtë, doja të shikoja reagimet e njerëzve. Ishin të jashtëzakonshme, sepse ata i përjetojnë edhe më shumë, komentet ishin po aq të mira në Shqipëri dhe në Kosovë. Por unë jam gjithmonë me këmbë në tokë.

Ekskluzive/ Të pathënat e "Pasaportës" së Eduart

E keni bërë traditë që premierat janë edhe jashtë vendit, a është kjo për më shumë audiencë?

Po sepse shqiptarët që jetojnë jashtë janë shumë dhe ata janë të etur për të marrë produkte shqiptare. Posaçërisht ky film i kushtohet atyre më shumë se gjithkujt tjetër.

Cila është historia e filmit dhe çfarë mesazhi ke dashur të japësh?

I gjithë filmi bazohet në ngjarje të vërteta që unë i kam hasur, familja ime, fisi apo njerëzit që kam njohur. Unë vetë vij nga një familje emigrantësh dhe kjo më ka frymëzuar shumë për filmin. Mesazhi që kam është që dhe sot e kësaj dite kur udhëtoj nëpër qytetet apo zonat rurale të Shqipërisë, dëgjoj akoma të rinj që mendojnë për t’u larguar nga Shqipëria. Ky film jep një mesazh që nuk duhet ta braktisim vendin, tregon historinë se sa e vështirë është të largohesh ilegalisht nga Shqipëria sot.

Filmi është xhiruar në 3 shtete, në Shqipëri, Itali dhe Meksikë, besoj ka patur një buxhet të madh?

Fatkeqësisht jo, nuk ka patur një buxhet të madh, madje kur kontaktova drejtorin e fotografisë, i cili është i huaj, dhe i tregova për historinë dhe ku do të xhirohej, më tha, “Kush e di se sa paske marrë fonde?”. Faktikisht po - i thashë - kam shumë lekë. Kisha zero lekë kur e kam filluar idenë. Ajo që kam bërë është se kam xhiruar në shumë aeroporte jashtë pa leje. Kjo më ka shërbyer shumë, sepse e kam xhiruar shumë origjinale.

Ekskluzive/ Të pathënat e "Pasaportës" së Eduart

Nuk është bërë problem kjo në xhirim?

Kam patur shumë peripeci, madje kam xhiruar edhe në avion duke ikur në Meksikë. Nëse e shikon skenën kur dy protagonistët flasin me njëri-tjetrin, atë e kam xhiruar në avion në kohë reale dhe kjo teknikë më ka bërë të mos shpenzoj shumë, sepse nuk kisha buxhet për të bllokuar avionët dhe për të xhiruar brenda. Por kam patur edhe fat dhe kjo më kanë shërbyer shumë. E gjithë skenografia ka dalë shumë e mirë, sepse gjërat origjinale dalin shumë më bukur.

Si ishte kjo eksperiencë për aktorët, duke ditur që po xhironit ilegalisht, a kishin stres, ndërkohë që duhet të jepnin maksimumin e tyre?

Posaçërisht kjo e ka bërë filmin më interesant, sepse aktorët vetë kishin stres kur ishim në Meksikë dhe kaluam nga Italia. Ky stres duket shumë bukur në film, sepse ishte vetë historia, e vërteta e personave që ishin ilegalisht, që e bënte të kishte stres, por edhe të dukej origjinale. Zgjodha këtë rrugë, ishte për dy arsye: e para që s’kisha lekë për t’i bllokuar avionët dhe e dyta, që stresi i aktorëve ta bënte sa më origjinale historinë.

Në filmat tuaj personazhet kryesorë nuk janë aktorë me një karrierë shumë të gjatë artistike. Pse kjo zgjedhje?

Kam shumë dëshirë të mos shfrytëzoj komercialitetin e personave për filmin. Dua të zgjedh personat që më pëlqejnë dhe që më duken profesionalë për t’i marrë, e nga filmi ata mund të bëhen nesër të famshëm ose mund t’ju shërbejë kjo eksperiencë, në rrugën e gjatë që ata mund të kenë. Kam bërë shumë audicione, derisa zgjodha dy persona: djali është një njeri i ikur nga Shqipëria në moshën 9-vjeçare dhe doja patjetër që ai që do ta merrte përsipër këtë rol, ta kishte përjetuar vetë në kurriz, sepse duke e përjetuar vetë jep më shumë për filmin. Po ashtu vajza nga Kosova, është një nga njerëzit që nuk kishte dalë kurrë më parë jashtë shtetit. Pra, këto elementë e pasuronin shumë rolin e tyre në film.

Ekskluzive/ Të pathënat e "Pasaportës" së Eduart

Cilat ishin disa nga sfidat më të mëdha që ke hasur gjatë xhirimeve?

Kam patur shumë sfida, sidomos në Meksikë ku kemi patur goxha probleme, sepse as unë dhe asnjë nga stafi nuk kishim qenë më përpara.

Pse në Meksikë, nuk mund të përshtatej një vend tjetër me Meksikën?

Aktualisht emigrantët që kalojnë në Kanada dhe në Amerikë janë nga Meksika. Por unë zgjidha kështu, sepse e kisha historinë e vërtetë: pra personi kalonte nga Meksika, ndaj doja patjetër të shkoja ta xhiroja aty, edhe pse vështirësitë ishin të mëdha. Doja të shikoja flamurin meksikan, të shikoja popullin, doja të flitej spanjishtja e Meksikës. E kam shumë personale zgjedhjen time si regjisor, dua që të shkoj fiks në vendet që dua. Shumë njerëz më thoshin që mund të shkoje në Ksamil dhe ta bëje lumin e Meksikës, por unë doja atë rërën e bardhë, doja palmat. Nuk e dua falsitetin në film, jo se ata që e bëjnë e kanë gabim, por unë dua që të shkoj pikërisht aty ku e kam shkruar skenarin. Shkova atje patjetër dhe vështirësia më e madhe ishte për t’u futur në Meksikë, madje aktorja nga Kosova kishte një pasaportë që Meksika nuk e njihte Kosovën si shtet. Ne jemi futur gati ilegalisht në kufirin e Meksikës dhe të gjitha këto vështirësi, më shërbenin për filmin.

Edhe Arbana ka një rol në film, sa rëndësi pati përfshirja e saj?

Ka qenë e përfshirë vetëm në rol, jo si aktore, por si Arbana, sepse edhe pse është gruaja ime, nuk mund t’i jap më shumë sesa mund të mbajë mbi supe. Dhe ajo që unë i dhashë ishte për të bërë Arbanën, që si e bën ajo Arbanën dhe nuk e bën njeri tjetër. Ishte roli i saj dhe ka qenë më i gjatë dhe më sfidues, sesa roli që ka patur te filmi tjetër. Por është edhe për marketing patjetër, sepse Arbana ka një suport shumë të madh për filmin. Ndonjëherë mund të kesh një film të mirë, por nuk e shikon njeri. Gjithmonë duhet një marketing shumë i madh për çdo film dhe filmat shqiptarë kanë shumë nevojë. Vitet e fundit janë bërë shumë filma, por besoj se ato kanë nevojë për një shtysë shumë të madhe, qoftë nga njerëz që kanë ndikim, shteti dhe çdo institucion, me qëllim për ta rritur filmin shqiptar.

Ekskluzive/ Të pathënat e "Pasaportës" së Eduart

Si ishte reagimi i Arbanës kur e pa filmin për herë të parë?

Ka qenë ndër njerëzit e parë që e pa filmin. Ajo erdhi, e pa dhe unë isha pak në stres se si e mendonte. Shikoja gjatë gjithë kohës mimikat e fytyrës, po shfaqte që po i pëlqente. Më tha që filmi i pëlqeu shumë, ndaj për këtë isha shumë i lumtur. Arbanën e kam një filtër shumë të madh, për të gjitha punët që bëj dhe është personi i parë që përballet me krijimtarinë time. Ajo jep kritikat e para.

Po fëmijët, a e kanë parë?

Fëmijët janë të vegjël dhe nuk e kanë parë. Në shtëpi kam një zyrë ku punoj dhe shohin ndonjë sekuencë.

Je më shumë baba çunash apo baba goce?

Çunash! Gjithmonë dëgjoj që gocat janë të lidhura më shumë me babain, por deri tani kam çunat. Goca akoma është me Arbanën.

Si është raporti yt në shtëpi, sa kohë i kushton fëmijëve, luani bashkë, për çfarë bisedoni?

Krahasuar me veten time, që prindërit e mi janë marrë shumë më pak me mua, unë merrem shumë. Ne shkojmë dhe i çojmë çdo ditë në kopsht, i marrim, dalim shëtitje, i kushtojmë jashtëzakonisht shumë kohë. Pavarësisht se mendoj që asnjëherë nuk është maksimale koha që i kushtojmë, çdo moment që kemi mundësi, ne rrimë me fëmijët. Unë e bëj krijimtarinë time edhe brenda shtëpisë, duke qenë në kontakt të përditshëm me fëmijët.

Ekskluzive/ Të pathënat e "Pasaportës" së Eduart

Mes filmit dhe televizionit, aktualisht ke zgjedhur filmin, po të kishte një ofertë joshëse, a do t’i riktheheshe sërish televizionit?

Për momentin është filmi, por gjithmonë jam mësuar t’i miksoj të dyja. Duken si dy gjëra njësoj, por janë dy gjëra komplet të ndryshme. Sapo mbarova filmin dhe ndërkohë kemi një projekt që po e bëjmë me Arbanën, i cili është “Mirëmbrëma Yje”. Ky projekt do të vazhdojë akoma dhe për momentin jam i fokusuar aty me Arbanën, pastaj ta shohim a do të jetë dhe televizioni pas këtij momenti.

Cila është ëndrra jote për filmin, a është e tepërt të ëndërrosh evente ndërkombëtare?

Ëndrra ime është që të vazhdoj këtë rrugë që kam nisur, të kem sukses, të bëj filma të mirë dhe që njerëzit i pëlqejnë. Nuk bëj filma duke menduar të fitoj Oscars, bëj filma që të jenë të thjeshtë për t’u kuptuar dhe që përfshijnë audiencën. Bëj filma për njerëzit, nuk bëj filma me fantazi - do të fitoj këtë apo do të fitoj atë. Kur të vijnë ato do t’i hapim derën, por jam i fokusuar dhe t’i bëj hapat dalëngadalë.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF