Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump, së bashku me fëmijët, kanë kaluar dy ditë në jug të Shqipërisë në fillim të kësaj vere. Vizita e tyre është zhvilluar në qytetin e Vlorës, megjithëse arsyeja e saktë mbetet ende e paqartë. Megjithatë, mendohet se qëndrimi i tyre në vend ka qenë një kombinim i pushimeve dhe planeve për investime. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Jared Kushner dhe Ivanka Trump kanë zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama.
Sipas raportimeve, çifti është i interesuar për një projekt investimi në ishullin e Sazanit, me qëllim transformimin e tij në një destinacion luksoz turistik në rajon. Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi me vila luksoze të integruara në relievin shkëmbor të ishullit, të orientuara drejt detit.
Prej disa ditësh, ky projekt ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat raportojnë se ishulli i Sazanit pritet të kthehet në një oaz të rafinuar për klientë milionerë që janë të gatshëm të investojnë për të përjetuar një ambient unik dhe mahnitës në zemër të Mesdheut.



















