Melinda Gates në librin e saj të papublikuar, “The Next Day”, ka rrëfyer momentin e vështirë kur vendosi të ndahej nga Bill Gates. Pas gati tri dekadash martesë, Melinda mori vendimin për t’i dhënë fund lidhjes me bashkëshortin e saj Bill Gates.
Filantropistja tregon se në shkurt të vitit 2020, ajo kishte planifikuar një udhëtim vetëm për vete në Neë Mexico, por më pas vendosi të ftonte edhe Bill. Pasi mbërritën, Melinda zbuloi se shtëpia me qira ku do të qëndronin ishte e disponueshme vetëm sepse çifti që jetonin aty më parë ishin ndarë.
Edhe pse përpiqeshin ta trajtonin këtë udhëtim si një pushim të zakonshëm, Melinda vendosi që në natën e fundit t’i shprehte Bill-it dëshirën për të jetuar të ndarë. “Ishte një nga bisedat më të frikshme që kam pasur ndonjëherë”, shkruan ajo në një fragment të librit të siguruar nga revista People. Melinda shton se Bill ishte “i trishtuar dhe i mërzitur”, por njëkohësisht “mirëkuptues dhe i respektueshëm”.
Pasi u kthyen në shtëpi, çifti vijoi të paraqitej si një front i bashkuar në mbështetje të Fondacionit Gates. Megjithatë, Melinda e kishte marrë tashmë vendimin për t’i dhënë fund martesës 27-vjeçare.
60-vjeçarja zbulon gjithashtu se përjetoi sulme paniku gjatë kësaj periudhe. Edhe pse procesi i divorcit ishte i gjatë dhe i vështirë, gjithçka u përmbyll shpejt sapo arritën një marrëveshje. Në maj 2021, Bill dhe Melinda publikuan një deklaratë të përbashkët ku njoftuan ndarjen e tyre.