KreuCelebrity

"Mu lut për një foto", deklarata e Trump për Melonin, Italia reagon ashpër, kryediplomati anulon vizitën në SHBA

"Mu lut për një foto", deklarata e Trump për Melonin,

Kryediplomati italian, Antonio Tajani, ka anuluar vizitën e planifikuar në Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti amerikan Donald Trump pretendoi se kryeministrja italiane Giorgia Meloni i ishte "lutur" për të bërë një foto me të gjatë samitit të G7.

Tajani i cilësoi komentet e Trumpit "serioze dhe fyese", jo vetëm ndaj Melonit, por edhe ndaj gjithë Italisë. Ai anuloi udhëtimin në SHBA, ku ishte planifikuar të merrte pjesë në një forum ekonomik Itali-SHBA në Miami dhe të takohej me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Nga ana e saj, Giorgia Meloni reagoi përmes një videoje, duke i quajtur deklaratat e Trumpit "plotësisht të sajuara".

"Donald Trump ka bërë deklarata krejtësisht të pavërteta. Jam sinqerisht e habitur. Nuk e kuptoj pse presidenti i Shteteve të Bashkuara sillet në këtë mënyrë me aleatët e tij," tha Meloni.

Ajo theksoi se nuk ishte hera e parë që Trump sulmonte publikisht Italinë dhe shtoi: "Është për të ardhur keq që ai nuk tregon të njëjtën vendosmëri ndaj armiqve të Perëndimit dhe të Shteteve të Bashkuara. Por një gjë duhet ta mbajë mend: Italia dhe unë nuk lutemi."

Sipas televizionit italian La7, Trump kishte deklaruar se Meloni i kishte kërkuar me ngulm një foto gjatë samitit të G7 në Francë dhe se ai kishte pranuar vetëm nga keqardhja. Megjithatë, transmetuesi publikoi vetëm një version të dubluar të intervistës, pa audion origjinale në anglisht.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në Itali. Presidenti Sergio Mattarella shprehu mbështetjen për Melonin, ndërsa ministra dhe përfaqësues të spektrit politik dënuan deklaratat e Trumpit.

Ministri i Transportit, Matteo Salvini, shkroi në rrjetet sociale: "Kush sulmon Giorgia Melonin, sulmon të gjithë ne."

Edhe ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, u shpreh se nuk beson se Meloni do t'i lutej ndokujt për një fotografi, duke shtuar se deklarata të tilla dëmtojnë marrëdhëniet mes Italisë, SHBA-së dhe aleancës perëndimore.

Marrëdhëniet mes Romës dhe Uashingtonit janë përkeqësuar muajt e fundit për shkak të dallimeve mbi luftën në Iran, konfliktin në Ukrainë, tarifat tregtare amerikane dhe mbështetjen e fortë të administratës Trump për Izraelin në luftën në Gaza.