Ka ndërruar jetë aktori dhe regjisori i njohur Eduart Çala, një prej emrave më të respektuar të teatrit dhe kinemasë shqiptare. Ai u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike për qytetin e tij të lindjes, Elbasanin, dhe për mbarë publikun shqiptar.
I lindur më 19 shtator 1950, Çala e nisi rrugëtimin e tij artistik në shkollën e mesme me komedinë “Udha e Zavalinëve” dhe më pas iu bashkua trupës së Teatrit “Skampa” në vitin 1971. Gjatë dekadave të tij në skenë, ai interpretoi mbi 50 role teatrore, duke sjellë energji dhe thellësi artistike në çdo pjesë.
Kontributi i tij u shtri edhe në kinematografi, me role në disa filma të njohur shqiptarë si “Përtej mureve të gurta”, “Një natë Nëntori” dhe “Ngjyrat e moshës”. Çala ishte gjithashtu një regjisor i suksesshëm në Teatrin e Kukullave, ku ndihmoi në edukimin artistik të brezave të rinj.
Për veprimtarinë e tij të shquar, u nderua me medaljen “Naim Frashëri” dhe titullin “Mirënjohje e Qytetit” nga Bashkia e Elbasanit. Ai mbetet një figurë e dashur dhe e paharrueshme për publikun dhe komunitetin artistik shqiptar.