Një video e publikuar së fundmi në rrjetet sociale ka rikthyer vëmendjen te konflikti mes reperit Gjesti dhe kompanisë muzikore “Onima”, duke e bërë sërish çështjen shumë të komentuar në publik.
Në pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë, shihet momenti kur artisti ndodhet pranë ambienteve ku ishte edhe pronari i kompanisë, Erkand Shabani. Videoja është shpërndarë me shpejtësi online dhe ka ngjallur reagime të shumta nga ndjekësit e tij.
Rasti lidhet me një konflikt që më herët është përmendur edhe në media dhe që dyshohet se ka përfunduar në rrugë ligjore. Sipas raportimeve, ndaj Gjestit janë ngritur akuza për kanosje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa vetë artisti ka pretenduar se mosmarrëveshja lidhet me pagesa të papaguara për një periudhë disa-vjeçare.
Në videon që po qarkullon nuk ka audio, ndaj nuk mund të verifikohet se çfarë është thënë apo si ka nisur dhe përfunduar situata në atë moment.
Megjithatë, publikimi i saj ka shtuar interesin e publikut, ndërsa palët vazhdojnë të mbajnë versione të ndryshme për ngjarjen dhe konfliktin mes tyre.
