Imagjinoni këtë skenar: sapo keni marrë një njoftim për dorëheqje nga një prej punonjësve tuaj më të mirë. Është e papritur, dhe teksa rikujtoni momentet e fundit, kuptoni se kishin nisur disa shenja – ndryshime të vogla në angazhim, një rënie e entuziazmit që mund t’ju ketë shpëtuar pa e kuptuar, thote ekspertja Felicia Nana Ama Kyei. Ju mbetet vetëm të mendoni: “Sikur ta kisha ditur më herët… a do të mundesha të bëja diçka për ta mbajtur?”, shton ajo.
Këtu hyjnë në lojë intervistat e qëndrimit, apo ato qe njihen si "stay interviews". Ndryshe nga intervistat e largimit, që bëhen kur është tepër vonë për të ndikuar, intervistat e qëndrimit u japin drejtuesve mundësinë të ulen me punonjësit, të kuptojnë nevojat e tyre dhe të adresojnë shqetësimet përpara se ato të bëhen të pakapërcyeshme.
Këto biseda janë të thjeshta, por jashtëzakonisht të fuqishme në krijimin e një vendi pune ku njerëzit duan të qëndrojnë. Cfarë janë saktesisht intervistat e qëndrimit, pse kanë rëndësi dhe si mund të funksionojnë për organizatën tuaj?
Në thelb, intervistat e qëndrimit janë një akt dëgjimi. Janë biseda të thjeshta, një më një, mes një drejtuesi dhe një punonjësi, që synojnë të zbulojnë çfarë funksionon, çfarë jo, dhe çfarë mund të bëhet shkak për largim.
Ndryshe nga vlerësimet e performancës që fokusohen te produktiviteti dhe objektivat, këto intervista përqendrohen te ana njerëzore e punës — kënaqësia në punë, aspiratat në karrierë dhe përvoja e përgjithshme në vendin e punës. Janë një mundësi për të pyetur: “Çfarë të pëlqen në rolin tënd?” apo “Çfarë do ta bënte përvojën tënde edhe më të mirë?”
Sekreti është momenti dhe qëllimi. Intervistat e qëndrimit funksionojnë më mirë kur bëhen rregullisht — përpara se frustrimi apo distancimi të marrin formë. Nuk janë një zgjidhje e njëhershme, por një praktikë e vazhdueshme për t’i bërë punonjësit të ndihen të vlerësuar dhe të dëgjuar.
Kush Është Përgjegjës për Këto Intervista?
Përgjegjësia bie zakonisht mbi menaxherët dhe mbikëqyrësit, pasi ata janë më afër punonjësve në përditshmëri dhe kanë më shumë mundësi të kuptojnë motivimet individuale dhe të adresojnë shqetësimet në kohë.
Megjithatë, HR luan një rol mbështetës shumë të rëndësishëm. Departamenti i Burimeve Njerëzore duhet të:
Sigurojë trajnimin dhe mjetet që menaxherët të zhvillojnë intervista efektive.
Monitorojë procesin për të garantuar cilësinë dhe vazhdimësinë në të gjitha departamentet.
Analizojë tendencat e përgjithshme nëpërmjet feedback-ut për të identifikuar çështje strukturore.
Pra, ndërsa menaxherët janë udhëheqësit e drejtpërdrejtë të intervistave, HR ka detyrën të ndihmojë, drejtojë dhe mbikëqyrë procesin në përputhje me strategjitë më të gjera të mbajtjes së stafit. Bashkëpunimi mes tyre është thelbësor që intervistat e qëndrimit të kenë sukses real.
Intervistat e qëndrimit ndihmojnë të kapen problemet që në fazat e para. Qoftë një mbingarkesë pune, mungesë vlerësimi apo dëshirë për zhvillim profesional — kuptimi i këtyre pikave të ndjeshme ndihmon në ndërhyrje përpara se një punonjës të vendosë të largohet.
Koha që i kushtohet dikujt për të dëgjuar përvojën e tij dërgon një mesazh të qartë: “Ti na intereson.” Kur punonjësit ndihen të vlerësuar, janë më të përkushtuar dhe të angazhuar.
Largimet janë të kushtueshme. Nga kostoja e rekrutimit te humbja e produktivitetit, zëvendësimi i një punonjësi shpesh kushton më shumë se mbajtja e tij. Intervistat e qëndrimit janë një mënyrë e zgjuar dhe e lirë për të minimizuar këto rreziqe.
Intervista e qëndrimit po keshtu nuk është vetëm një mjet feedback-u; është një mundësi për të ndërtuar marrëdhënie. Ajo nxit komunikim të hapur dhe besim mes menaxherit dhe punonjësit — gjë që përmirëson bashkëpunimin në çdo nivel.