Ekspertët në Shtetet e Bashkuara rekomandojnë që gratë të kontrollohen një herë në dy vjet për kancerin e gjirit, duke filluar nga mosha 40 vjeçare. Rekomandimi u bë nga Grupi i Punës për Shërbimet Parandaluese, një grup ekspertësh të pavarur të fushës së mjekësisë nga mbarë Shtetet e Bashkuara që bën rekomandime për shërbimet klinike parandaluese. Ky grup pune me ndikim në mjekësi thotë se ekzaminimi i hershëm synon të trajtojë dy probleme në rritje, shtimin e rasteve të kancerit të gjirit tek gratë nën moshën 40 vjeçare dhe shkallën e lartë të vdekshmërisë nga kanceri i gjirit tek gratë me ngjyrë.
Një ekip ekspertësh amerikanë të fushës së mjekësisë rekomandon se kontrolli i grave për kancer gjiri duhet të fillojë në moshën 40 vjeçare, duke u bërë rregullisht një herë në dy vjet, thote VOA. Rekomandimi i mëparshëm ishte që mamografia të bëhej një herë në dy vjet për moshat nga 50 në 74 vjeç.Ndërsa përmirësohet trajtimi, shkalla e vdekjeve nga kanceri i gjirit ka pësuar rënie. Në Shtetet e Bashkuara rreth 240,000 raste diagnostikohen çdo vit dhe rreth 43,000 gra humbin jetën nga kanceri i gjirit.
Dr. John Wong me Universitetin Tufts është nënkryetar i grupit të punës që bëri rekomandimet. Ai thotë se kontrolli i hershëm është nxitur nga rritja e numrit të grave nën moshën 40 vjeç që preken nga kanceri i gjirit. Që nga viti 2015, numri i rasteve është rritur me 2% në vit. Mamogramet do të ndihmojnë në trajtimin e një tjetër çështje të rëndësishme. Shkalla e vdekjes nga kanceri është 40% më e lartë tek gratë me ngjyrë, të cilat preken nga forma më agresive të sëmundjes në moshë më të re.
“Gratë me ngjyrë preken më shpesh nga forma më agresive e kancerit në moshë më të re. Në bazë të modeleve shkencore specifike për to, rekomandojmë fillimin e mamografisë në moshën 40 vjeçare. Ky është hapi i parë i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm për të ulur rastet”, thotë zoti Wong. Ai thekson rëndësinë e trajtimit të duhur dhe sa më shpejt të jetë e mundur për gratë me ngjyrë që diagnostikohen me kancer. “Ekzistojnë studime të përshtatshme që sugjerojnë trajtime efikase për të ulur shkallën e vdekshmërisë. Presim dhe kërkime shtesë për të hedhur dritë lidhur me shkallën e lartë të vdekshmërisë dhe se si mund të trajtohet”, thotë zoti Wong. Këshillat e reja nuk vlejnë për gratë që kanë patur kancer gjiri ose ato me rrezikshmëri të lartë për arsye gjenetike. Në këtë listë përfshihen edhe gratë që kanë patur terapi të theksuar rrezatimi në gjoks në moshë të re. Mamografia nuk funksionon aq mirë për gratë me inde të dendura të gjoksit, por megjithatë zoti Wong rekomandon kontrollin.



Sekretet e verës nga somelierja Entela Cenko

Las Vegas në zemër të Tiranës!


Kanceri i mushkërive; ja simptomat!





Ushqimi që ul yndyrën e mëlçisë me 40%!

Brenda një dasme në Afrikë

Si ta kuptoni që dikush po ju gënjen?!





Ja pse stresi bën që të shtoni peshë!

