Daniel Nikolla është një student shqiptar që po ndjek studimet për “Creative Media Production” në Londër. Përveçse studimeve, Danieli është i angazhuar edhe në lëvizje studentore dhe nisma të tjera, duke marrë disa çmime.
Në një intervistë për Bordo.al, ai ndan me ne eksperiencën e tij, si edhe ka disa këshilla për të gjithë të rinjtë që aspirojnë të studiojnë në Londër.
Nga Sidorela Lepri
Daniel, ju studioni në Londër. Na tregoni pak për fushën tuaj të studimeve dhe universitetin?
Si fillim, faleminderit për intervistën. E vlerësoj që interesoheni për studentët shqiptar jashtë atdheut. Është sacrificë e madhe dhe shpeshherë e dhimbshme, të jetosh larg familjes edhe të takosh shqiptarë të tjerë që nuk kanë parë familjet e tyre prej vitesh.
Une studioj ‘Creative Media Production’ në kolegjin City and Islington, që në shqip duhet të jetë diçka mes studimit mbi media, film edhe regjizurë. Kursi që po ndërmarr unë zhvillohet në kolegjet dhe universitetet Britanike.
Si shumë rrallë studentë të huaj, jashtë BE-së unë ndoqa një rrugë jo dhe aq tradicionale të studimit në Angli. Aktualisht jam në vit të dytë të kursit në kolegj dhe jam ofruar një vend për të zhvilluar një vit të fundit në një universitet tjetër.
Kolegji ku studioj është i vetmi kolegj në Britani që është vlerësuar me kategorinë më të lartë në 5 fushat e vlerësimit nga institucioni përkatës.
Përse keni zgjedhur të studioni pikërisht në këtë degë dhe përse Londra është destinacioni juaj i studimeve?
Në këtë degë përfundova rastësisht, por edhe jo aq. Pasi kisha studiuar 1 vit anglisht në një kolegj tjetër në lindje të Londrës, iu futa kërkimit për një degë që më përshtatej. Një ditë teksa po lëvizja në Londër me biçikletë, hyra në një kolegj që më pas u bë institucioni ku studioj dhe ‘shtëpia e dytë’.
Sa më shumë mësoj për degën që po studioj, aq më shumë e dua!
Ndërsa Londra ishte shpëtimi dhe drita në fund të një tuneli që kishte shumë pak dritë. Në Shqipëri luaja futboll që në moshën 9 vjeç. Megjithëse ndër vite arrita një nivel të kënaqshëm deri sa u provova edhe në Gjermani, korrupsioni dhe mentaliteti i drejtuesve të futbollit mbase e mundi stërvitjen e fortë që bëja. I gjithë ai pasion u kthye në mllef dhe detyrimisht doja të transferohesha diku ku mund të shfrytëzoja potencialin që e mbart çdo i ri Shqiptar. Londra është vendi më i mirë në botë në çdo aspekt.
Ka qenë e vështirë për ju të përshtateni në një kolegj të tillë ndërkombëtar dhe çfarë vështirësish ke hasur në fillimet e tua?
Mendoj që nuk kam pasur vështirësi të pershtatem me ambientin në kolegj, për shkak dhe të angazhimeve të tjera që në fillimet e ardhjes në Angli. Ambjenti në kolegj është tepër miqësor dhe stafi dhe pedagogët kanë një mënyrë krejt ndryshe trajtimi, komunikimi e përgatitje të studentëve. Gjithsesi, ka pasur momente ku ndihej racizmi, por kam mundur t’i bëj ballë. Besoj se një nga sfidat më të mëdha është i ashtuquajtuari “kërkim shkencor”. Mendoj se sistemi arsimor në Shqipëri duhet të bëjë më shumë në përgatitjen e studentëve rreth teknikave të kërkimit rreth një teme, që në 9 vjeçare.
Sfidat më të mëdha përfshijnë; akomodimin, gjetja e një pune dhe kosto e lartë e jetesës ashtu siç edhe qielli gri i Londrës në shumicën e vitit dhe jeta shumë e shpejtë. Nëse më duhet të veçoj një fragment, ai është mungesa Shqipërisë për 1 vit, sepse institucioni britanik që merret me dokumentacionin e studentëve të huaj kishte gabuar me dokumentacionin tim.
Ka studentë të tjerë shqiptarë në degën që ju studioni?
Nuk kam takuar student të tjerë shqiptarë që studiojnë në degën time, por mendoj që ka shumë studentë shqiptar që nëse do kenë mundësi do të shkëlqejnë në këtë degë. Të rinjtë duhet të inspirohen dhe jenë krenare për suksesin e filmit ‘Shok’ dhe vazhdimësinë e shkëlqyer të serialit ‘O Sa Mirë’.
Përveçse studimeve, jeni angazhuar me diçka tjetër aty?
Përveç studimeve, punoj në një bar në qendër të Londrës, por pasioni më i madh që i kushtoj po aq kohë sa edhe studimeve është lëvizja studentore në Britani. Në mars të vitit 2015 u zgjodha President i Unionit të studentëve të kolegjit ‘City and Islington’, duke përfaqësuar zërin e mbi 15,000 studentëve. Puna në 5 kampuset e kolegjit ka përfshirë fushatat reth:
– ‘Free Education’, Edukimi falas dhe i aksesueshëm nga çdo studentë pavarësisht shtresës sociale, ngjyrës apo pasurisë së familjes.
– Shëndeti mendor i studentëve, shumica e të cilëve u duhet të punojnë që të përballojnë kostot tejet të mëdha dhe mbyllin studimet pa i lënë në mes me probleme të shëndetit mendor.
– Parakalime lokale dhe lëvizje kombëtare kundër racizmit, ku gjithashtu kemi kapur vëmendjen e medias britanike.
– Regjistrimi i të rinjve që të votojnë në zgjedhje, edhe shumë fushata të tjera.
Aktivizmi dhe puna e bërë në kampus dhe në rang kombëtar ndonjëherë vlerësohen. Unë pata fatin të jem shqiptari i parë që i akordohet çmimi Studenti, Oficer i huaj më i mirë i vitit (Highly Commended).
Gjithashtu, kam qenë lider i delegacionit të kolegjit tim në konferencat vjetore dhe sezonale të National Union of Students UK, (Unioni kombëtar i studentëve të Britanisë-Angli, Skoci, Uells, Irlandë) duke kulmuar në garimin për zgjedhjet për Këshillin Ekzekutiv Kombëtar në 21 prill të 2016 dhe fituar garën në të cilën 15 studentë oficerë zgjidhen të përfaqësojnë 7 milionë studentët në Britani. Shumë shpesh angazhimet me NUS më kanë sjellë së bashku me figura me peshë të politikës Britanike si Jeremy Corbyn, lider i partisë Laburiste.
Sigurisht që dashuria për Shqipërinë nuk ka mbetur pas. Në bashkëpunim me politikanin e parë me origjinë shqiptare në Britani, Kastriot Berberi, kemi organizuar ngritjen e flamurit kombëtar në një nga bashkitë e Londrës, për 2 vite me rradhë. E gjithashtu, jam përfshirë me organizata shqiptare në Britani si ‘Lidhja Shqiptare UK’ duke protestuar paqësisht tek Ambasada Shqipërisë në Britani mbi armët kimike, dhe ajo serbe për racizmin dhe dhunën e ushtruar kundër lojtarëve dhe kombit tonë.
Të ardhmen tënde e sheh larg Shqipërisë, pra në vendin ku ti aktualisht studion?Mendoj që vendimi më i mirë që mund të marr është qëndrimi në vendin që më jep më shumë mundësi kualifikimi dinjitoz dhe një edukimi sa më perëndimor. Si një shqiptar jashtë atdheut, unë përfaqësoj jo vetëm veten, por edhe potencialin e kulturën e të rinjve shqiptar e të kombit tonë, gjë e cila vlerësohet nga të huajt, por shumica nuk i di ende.
Por do të isha shumë i kënaqur nëse një ditë do të kontribuoja në fusha të ndryshme në Shqipëri si: politikë, futboll apo media.
Me siguri ka plot shqiptarë që ëndërrojnë të studiojnë në Londër. Ndonjë këshillë apo sugjerim?
Sugjerimi im për të rinjtë shqiptarë është të fokusojnë energjitë e tyre në fushën që u pëlqen. Askush nga ne nuk është perfekt, por çdokush nga ne është unik. Unë nuk kam qenë perfekt në shkollën fillore apo gjimnaz, por Britania më ka mësuar që çdo person që është i vendosur të përparojë do ta gjejë mundësinë në një moment apo një tjetër. Shoqëria nuk vlerëson individin vetëm nga vlerësimet në shkollë, gjimnaz e universitet, por edhe për kontributin në komunitet, qoftë ai komuniteti i lagjes, shkollës, snapchat-it apo kudo. Ne duhet të kuptojmë që çdo gjë që ndodh është politike. Në rast se arsimi bëhet privat, ajo është politike. Kur dikush favorizohet më shumë se një person më i aftë në çdo fushë, ajo është politike. Mosorganizimi i të rinjve në klube rinore, është politike. E nëse dikush të inkurajon, por pa të hapur një shteg përparimi, edhe ajo është politike.
Politika që ‘elita’ i përdor të ndalojë personat me potencial, por që vijnë nga shtresa më të ulëta të shoqërisë nga përfshirja, dhe mbase zgjedhja në poste të larta qofshin këto në parlament, media apo kudo tjetër, për të sjellë ndryshimin që vendi jonë ka nevojë.
Rinia shihet kudo si prijëse e përparimit e duhet të mbajë peshën më të madhe dhe ka zërin më të lartë, por kjo jo vetëm në klubet e natës apo rrjetet sociale. Britania i ka dyert e hapura për çdo student, përfshirë edhe ne. Megjithëse masat shtrënguese kundrejt studentëve të huaj, në Londër ka mundësi pafund që çdokush mund të përfitojë.


Chanel pushton Kubën me sfilatën pranverë 2016


Zbulohen tre vëllezër të Tokës!

Ditë historike për Kosovën! Pranohet në UEFA

Verë 2016: Rrobat e banjës që ju inspirojnë!

Unazat e martesës… po sikur të zgjidhni ngjyrat?

Çokollata… Një ushqim i domosdoshëm në mëngjes!

Këshilla për një lëkurë çokollatë

Buzët e kuqe: Një simbol i joshjes absolute!

Porsche 718 Cayman: Rikthim në origjinë!

Takat elegante që ju duhen këtë sezon







Aston Martin Vantage GT8: Nga pista në rrugë!
