Zbuloni Eglën, vajzën e roleve me ‘spec’ në seriale dhe kinema, personazhin dramatik në teatër dhe aktoren e batutave plot humor në shoun “M’Fal për shprehjen”
Takimin e fiksuam në një nga baret krah Liqenit Artificial. Egla erdhi saktësisht në kohë. Pamja e saj përshkruhet me pak fjalë: një siluetë tejet elegante, e cila dallon prej së largu, takat trokasin mbi asfalt, stil ‘casual’, syze të errëta vendosur mbi flokë, e mbi gjithçka një buzëqeshje miqësore.
Egla, pasi porosit kafen, nga ato të shkurtrat, një gisht brenda filxhanit. I duhen pak minuta për ti nxjerrë fundin. Kjo ndoshta për shkak të kulturës së jetës Italiane, ndaj nuk nguron të porositë të dytën. Ngjan më shumë si një ritual mëngjesi për të çelur sytë. Sidomos këto ditë, kur zgjimi për të, nuk ka qenë aq impenjativ sa disa ditë më parë, në aspektin profesional, pas mbylljes së sezonit “M’fal për shprehjen’, një format i cili u komentua për suksesin, duke e kthyer aktoren Egla Ceno në episode plot humor, ironi dhe të qeshura, krah kolegut të saj Elvis Pupa.
Miqësia me Elvis Pupën është mbi 15 vjeçare. Ishte miku i saj, i cili i bëri ofertën për të qenë krah tij, duke i treguar fillimisht disa pjesë të shkuara, të cilat duhej t’i punonin së bashku. “U takuam direkt në studio. Filluam duke bërë batuta me njëri-tjetrin. Nisëm të improvizonim dhe e pamë që çdo gjë po shkonte mirë”- pohon Egla, moment ky i cili konfirmoi në një mënyrë ‘firmosjen’ e kontratës për të gjitha episodet që u transmetuan në Digitalb. Nuk e fsheh se ishte e parë që bënte televizion në gjithë këto vite karrierë, por rezultoi një eksperiencë e cila i pëlqeu, ndaj do të provonte sërish. Nuk e mohon se tematika e historive që trajtonin ishte mjaft reale, ndoshta ky ishte element i cili tërhoqi vëmendjen e ndjekësve të “M’fal për shprehjen’. Episodi ‘Burri dhe Gruaja’, tregon karakterin e femrës shqiptare, e paplotësuar, e përballë saj, burri shqiptar, që nuk di të flasë me fjalë të bukura, që di të bëjë dhurata. “Ne gjetëm dhe trajtuam përmes skenarit pikat më të dobëta, duke hyrë jo vetëm tek bota e femrës, por edhe tek meshkujt. Jemi përpjekur të trajtojmë tema të realitetit, brenda dhe jashtë shtëpisë. Në kaq vite kemi parë si vërtiten gjërat. E dimë për çfarë bëhet sherr, dimë karaktere të ndryshme femrash e meshkujsh. Me batuta të ndryshme kemi marrë anën problematike, jo tragjike të gjësë duke e dhënë përmes humorit” -rrëfen për eksperiencën në ‘M’fal për Shprehjen”.
Pasi lëmë mënjanë ekranin e vogël dhe kthejmë vëmendjen tek Teatri, ajo ndihet e lirshme të thotë që nuk e ndien domosdoshmëri faktin që nuk është përditë në skenë, sepse beson se çdo gjë duhet të vijë në kohën e vet. Eshtë e lirshme kur pohon që për shfaqen e fundit në Teatër, “Made in Albania”, ajo e kontaktoi vetë regjizorin Basha për ti komunikuar disponibilitetin dhe interesin e saj dhe ai e thirri pa ngurrim për të qënë pjesë. Teatri për Eglën mbetet ende i përsosur.
Nuk do të cekë aspektin burokratik, sepse beson që çdo projekt duhet të vijë përmes audicioneve apo në formën e ftesës nga regjizori apo producenti. Në rastin e fundit është aktori ai që vendos nëse i përshtatet apo jo ai rol. “Kur më ofrohet një projekt apo kur më bëhet një ftesë e pres me kënaqësi, por e shoh nëse më përshtatet. Së fundmi, kam patur disa skenare nëpër duar dhe një nga rolet që m’u propozua, më pëlqeu shumë. Fillojmë xhirimet ne muajin Qershor – rrëfen Egla.
Kur e pyes se çfarë mendon për argumentin që vijon, përgjigja është që “Nuk mund të bëhet një rol me mik, produkti nuk është diçka që fshihet, ai del hapur në skenë, ekran apo në kinema, e si rrjedhim pret të vlerësohet. Mendoj se një artisti nuk i kalon nëpër mend të fusë mik për të bërë një rol. Produkti ynë final është i zhveshur, aq i zhveshur, sa nuk ka “mik” që mund ta mbulojë”.
Është e vëtëdijshme se arti nuk është një sektor i cili e bën të pasur aktorin. Egla beson se fakti që artisti ka zgjedhur artin, është sepse brenda ka një vatër që ndizet për të thënë diçka ndryshe. “Arti është ushqim për artistin. Një artist nuk e zgjedh këtë profesion për një rrogë të sigurt. A duhet të ketë përparësi në politikat e ndryshme kombëtare?…Sigurisht që po!” – thekson aktorja
Kohët e fundit jeta e saj është në fluturim mes Italisë dhe Shqipërisë. Ajo ka jetuar në Canavese, një provincë e Torinos ku gjenden studiot e serialit “100 vitrinat”, brenda kastit të të cilit pati fatin të punonte dhe t’i besohej një rol i vogël në 2005, moment ku arriti të krijonte dhe rolet e para. “Regjisori Fabrizio Portalupi më ftoi para pak ditësh për një produksion në Rai 4, por nuk munda të shkoj sepse kisha impenjime të tjera. Por, do të kthehem sërish, sepse do të jem pjesë e sezonit të dytë të serialit ‘Status’, një prodhim italian që xhirohet në Bolonja dhe Shqipëri. Serialin e parë e kemi xhiruar në Elbasan.” Në këtë serial ajo luan rolin e një kapobande shqiptare që trafikon drogë, një femër e pamartuar me dy fëmijë, në një rol aksion, një zhanër ky i cili e bën të përjetojë plot adrenalinë sheshxhirimin. “Regjizori Renato Giuliano, para disa ditesh më konfirmoi që seriali i dytë do të ketë aksion, do të ketë luftë, armë dhe mezi po e pres”- përfundon aktorja Egla Ceno.
Derisa të vijë zhurma e ciak-ut tjetër, jeta vazhdon në mënyrën më normale. Tirana e zhurmshme, koha me njerëzit e dashur, liria me një shëtitje në flladin e liqenit… sepse ajo ka një shpirt artisti, ka brenda saj një vatër zjarri që vlon dhe duhet të mbajë atë të ndezur me çdo kusht…!



















