Ishte vetëm një vajzë e thjesht nga Kosova, me një ëndërr e pasion të madh: muzikën. Zhvendosja në Angli u pa fillimisht si një shpresë për të vazhduar më tutje, por realizimi i këngës së saj të parë u bë më premtues nga ç’e prisnim. Sot, Dua Lipa është një ndër ata emra që na bën të ndihemi krenarë, e kjo jo më kot. Arritja më e fundit e Duas ishte renditja në vend të parë në listën e këngëve më të dëgjuara në Britani, e hiti “New Rules” duket se do të korrë suksese edhe më të mëdha. Data 22 e ka gjetur Duan duke festuar ditëlindjen (për ironi) e 22-të, e për këtë këngëtarja ka organizuar fillimisht një festë në oborrin e shtëpisë së saj.
Ishte në një tur në Japoni, deri para dy ditësh, kohë në të cilën lajmëroi rikthimin në Londër, pikërisht për këtë event. Duke njoftuar njëkohësisht përfundimin e çdo festivali për sezonin veror, Dua nuk ka nguruar të shprehë lumturinë për arritjet e fundit, nëpërmjet një postimi në Instagram. Këto pak orë të pasdites, artistja ka publikuar jo pak video në My Story, duke na zbuluar atmosferën në oborrin e shtëpisë. Në dukje një festë e organizuar thjesht, me ushqime të përgatitura në çast me zgarë, në imazhet e fundit shohim tullumbace me formën e numrit 22. Me siguri, ky është vetëm fillimi i një feste të madhe që pritet të vijojë, pjesë e së cilës nuk dihet ende nëse do të jetë dhe i dashuri i ri i Duas. Këtë herë, këngëtarja e meriton dyfish festimin e kësaj date në mënyrën më të mirë të mundshme. Duke i uruar Duas ditëlindje gjithmonë e më të gëzuara, ju ftojmë të shfletoni galerinë për disa nga imazhet e Lipës.