KreuStil Jetese

Të fusësh 4 vite plehra në një kavanoz?! Kjo vajzë ia doli!

Janë të paevitueshme, pjesë e përditshmërisë, sado të bezdisshme është t’i derdhësh, apo të të zgjojnë që në pikë të mëngjesit me kutërbimin e tyre, ndërsa ti nxiton për në punë. Për sa kohë jetojmë, do konsumojmë, dhe rrjedhimisht mbeturina do krijojmë.

Të paktën, ky është besimi i gdhendur në gur I shumë njerëzve, të cilët as nuk e marrim mundimin të vërtetojnë të kundërtën.

Por amerikania Lauren Singer, ndjekëse e sfidës #ZeroWaste, ka vendosur të japë një tjetër shembull, duke e thyer këtë stereotip. Pak nga pak, ajo eliminoi mbeturinat dhe plastikën nga shtëpia e saj, si dhe çdo gjë të papërdoshme, derisa arriti pikun e sipërmarrjes së saj në ndihmë të mjedisit: plehrat që krijoi gjatë 4 viteve mund të futen lehtësisht në një kavanoz.

Tani po mendoni se sa kilogramë mbeturina krijoni në ditë dhe ndiheni në faj, apo jo?

Nuk jeni të vetmit.

Sipas Lauren, nuk është e vështirë ta bësh këtë tranzicion. Mjafton të kryesh shkëmbime të thjeshta, si për shembull, sa herë shkon në treg për të bërë pazaret, të marrësh trasta cohe me vete, në vend të qeseve plastike.

Po ashtu, shishet plastike të ujit mund të zëvendësohen me një shishe metali të personalizuar, apo shampot në shishe plastike, plot kimikate, të zëvendësohen me sapunë.

Zonjushat mund të pyesin se si veprohet në rastin e menstruacioneve, por edhe për këtë ka një zgjidhje: kupat menstruale, të cilat janë një investim 10-15 vjeçar.

Pra, një tjetër e mirë e kësaj sfide është se kursen plot para, që nga sendet e panevojshme që mendohesh dy herë para se t’i blesh, e deri te qeset plastike, të cilat s’të hyjnë më në punë.

Jo vetëm kaq: mbeturinat e ushqimeve, si lëkura e frutave, mund të dekompozohen në një vazo në kushte shtëpie, dhe plehu i krijuar mund të përdoret për kopshtari, nëse është ky një pasion i juaji.

Mbase është vërtet koha t’I vëmë gishtin kokës për plehrat që krijojmë. Lauren Singer dhe plot ndjekës të sfidës #ZeroWaste e kanë shtruar tashmë rrugën për ne!

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF