Ndonëse kanë kaluar tashmë gjashtë vite nga vdekja e këngëtares Amy Winehouse, babai i saj, Mitch ndjen ende dhimbje për humbjen e vajzës së tij e kjo është mëse e kuptueshme. Ajo që është e cuditshme, është fakti se, në një intervistë për “The Sun” ai ka pranuar se e bija e viziton atë shpësh në formën e një fanatzme. “Shpirti i saj vjen e ulet në fund të shtratit tim. Thjesht ulet dhe duket si ajo, me fytyrën e saj të bukur e më vështron”, tregon ai.
Sipas tij e bija viziton edhe nënën e saj, Jane, por në formën e një mëllenje, si ajo që këngëtarja e kishte bërë tattoo në trupin e saj. Ai thotë se pas vdekjes së Amy kanë ndodhur gjëra të çuditshme. Një javë pas vdekjes së saj Mitch tregon se teksa po qëndronte në shtëpinë e së motrës një mëllenjë i ishte ulur në prehër dhe kishte filluar të këndonte.
Këngëtarja ishte vetëm 27-vjeçe kur u nda nga jeta si pasojë e helmimit nga alkooli. Ajo edhe më herët ka vuajtur nga varësia ndaj drograve dhe alkoolit, ndërsa për disa kohë edhe nga anoreksia.