Gjatë muajve të verës, një nga deputetet më të reja në parlamentin shqiptar, Kejdi Mehmetaj u vendos në qendër të vëmendjes së mediave rozë për shkak të disa fotove me partnerin e saj teksa ishte me pushime në jug të vendit.
Për djaloshin fatlum dihej shumë pak, për të mos thënë asgjë. E ftuar te ‘Rudina’, Kejdi ka folur për herë të parë Arbrin, duke treguar se është me të prej disa vitesh, familjet janë njohur me njëra-tjetrën, ndonëse nuk janë fejuar ende.
“Ai është Arbri, ne jemi në një marrëdhënie prej disa vitesh. Ne patëm një angazhim me familjet, por nuk jemi fejuar. Familjet tona janë tradicionale dhe ne i kemi njohur me njëra-tjetrën. Unë ndihem shumë mirë dhe e bekuar nga Zoti që kam rreth vetes gjëra të mira dhe pozitive dhe përpiqem t’i mbaj”, u shpreh deputetja e LSI.
Kejdi ka treguar edhe për planet për të ardhmet, duke rrëfyer se është në pritje të një propozimi për fejesë (shpresojmë që Arbri ta ketë dëgjuar intervistën), dëshirën për të pasur një familje të madhe dhe planet në karrierën e saj si deputete.
“Në aspektin profesional secili prej nesh ka jetën e tij dhe jemi veç. Për suportin me njëri-tjetrin do jemi gjithmonë bashkë. Ne jemi familje e vogël, por unë jam rritur me kushërinj dhe në parti po ashtu, sepse unë jam futur që 14 vjeç. Familjen time do ta doja të madhe, por në fund të ditës këto janë punët e Zotit.”