Një nga mbrëmjet e Top Show Magazine, ish-kapiteni i skuadrës vendase u përlot teksa dëgjoi historinë e një fansi, i cili kishte realizuar si tatuazh momentin kur Cana goditi një lojtar serb në ndeshjen Serbi-Shqipëri. Këtë të shtunë, nuk ishte ndjenja patriotike ajo që emocionoi Lorikun, por historia e Gersit, djaloshit që çeli edicionin e dytë të “Dua të të bëj të lumtur”. Rikthimi i tij vinte nga historia e treguar një edicion më parë, ndërsa Gersi ka treguar jo pak në këtë fillim të ri.
Duke qenë se ëndrra e vogëlushit është edhe futbolli, surpriza për të ka qenë pikërisht prezenca e Lorik Canës, i cili ka dalë i përlotur nga prapaskena, për t’i dhuruar një përqafim (dhe jo vetëm) fansit të tij të vogël. Mes lotësh, ish-kapiteni i Kombëtares ka thënë se ndihej krenar për ecurinë e Gersit, ashtu sikurse shprehu lumturinë dhe shpresën dhe djali i tij të kishte të njejtin karakter të fortë si Gersi kur të rritej.
Duke qenë se me djaloshin kishin ardhur edhe disa shokë e shoqe të tij, të cilët premtuan se do t’i qendronin pranë Gersit kurdoherë, Cana u dhuroi fëmijëve nga një bluzë të tijën dhe pesë bileta për në ‘Elbasan Arena’, për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Norvegji.



















