Fitorja e Ermal Metës dhe Fabrizio Moro-s në Sanremo nuk erdhi aspak lehtë. Pas ‘frikës’ për pezullim, gara vazhdoi normalisht, duke sjellë dhe fitoren e djemve në këtë edicion të festivalit. Fill pas kësaj, duke u bazuar kryesisht në tekstin e këngës “Non mi avete fato niente”, mediat italiane rikujtuan fëmijërinë e dhimbshme të këngëtarit me origjinë nga Fieri.
Ishte edhe deklarata e Ermalit pas përfundimit të garës ajo që nxiti edhe më tej lajme të kësaj natyre. ” Kur e këndova për herë të parë këtë refren, më kaloi fëmijëria para syve. Më vinte ta këndoja: “Bastard, nuk më ke bërë asgjë”, ka deklaruar Meta, i cili më parë kishte thënë se fëmijëria e tij nuk kishte qenë aspak i lumtur, madje ai kishte ende në trup shenja nga e kaluara. Gjithçka përkthehej në dhunë fizike të ushtruar nga i ati, kur këngëtari kishte qenë ende i vogël, e kaq u desh që media italiane të mbushte gazetat e portalet me tituj bombastikë, të përkthyer më vonë edhe në shqip.
Por, Ermali nuk ka reaguar mirë nga ky ‘gërmim’ në të kaluarën e tij, e për më tepër të shpërfaqur deri në vendlindje. Kështu, ai shpërtheu kundër mediave shqiptare fillimisht, e për këtë në krah i ka dalë edhe e ëma. Kontaktuar nga “Jo Vetëm Modë”, Mira Borova ka deklaruar: ” Gazetat shqiptare të mbajnë një përgjegjësi të madhe për fantazitë që përdorin dhe ne jemi shumë të prekur nga kjo gjë në vend të jemi të lumtur. Edhe i ati i Ermalit do gëzonte ndryshe po të mos shkruheshin të gjitha budallallëqet që janë shkruar.
Duhet të mendoni që sot që Ermali është 36 vjeç domethënë burrë ai s’ka nevojë të flasë për gjëra të tilla. Keni futur në zjarr dhe keni ngritur mure midis dy familjeve normale që bëjnë një jetë tepër normale. Fati e donte të ndaheshim dhe çdo njeri nga ne ka familjen e tij. Mendoni se sa të lënduar janë fëmijët e tij sot që nuk hynë fare në këtë çështje që ne nuk kemi ftuar njeri të na e zgjidhë.
Jam shumë e indinjuar nga gazetarët shqiptarë pasi një fitore e tillë që nuk është vetëm e Ermalit është kthyer në polemikë për babanë e dhunshëm. Gjërat para se të thuhen duhet të mendohen mirë dhe të jenë të përgjegjshme. Ermali nuk ka folur asnjëherë për dhunë pasi e para nuk flet për gjëra personale, e dyta nuk flet për persona që nuk janë prezentë. Edukata e tij nuk ja lejon dhe ju ma merr mendja e keni konstatuar këtë.”
Nga ana tjetër, gjithçka është bazuar në deklaratat e ardhura nga vetë Ermali. Megjithatë, ndoshta vëmendja është më mirë të përqemdrohet tek suksesi, e tashmja, dhe jo e kaluara…



















