Statuja Oscar vlen dyfish nga të tjerat, jo vetëm në sajë të përbërjes prej ari, por edhe për vlerën emocionale që mbart për personin përkatës. Aktorja më e mirë protagoniste këtë vit u cilësua Frances McDormand, e duket se sa me vështirësi e rrëmbeu çmimin, aq lehtë mund edhe të shkëputej prej tij. Çfarë ndodhi në të vërtetë?
Siç e do tradita, pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve organizohet një festë, ku të pranishën nuk janë vetëm yjet. Kushdo mund të bëhet pjesë e celebrimit dhe kjo me garancinë e plotë se askush nuk shkon në këtë ambient për akte kriminale. Por, ja që disa njerëz thjesht nuk shpëtojnë dot nga telashet!
Terry Bryant, një 47-vjeçar amerikan ka tentuar të vjedhë statujën Oscar të McDormand. Kapur në kohë nga punonjësit e sigurimit, aktualisht Bryant ndodhet nën arrest, e mund të lirohet vetëm për një garanci prej 20,000 dollarësh. Përfaqësuesit e aktores nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me ngjarjen, edhe pse kjo është dukur e tepërt. Ka edhe kështu!