Në një bisedë-intervistë në studio një njeri mund të ndajë shume gjëra, aq më tepër kur personazh është Enada At’Nikolla, e cila nuk shfaqet asnjëherë në ekran po nuk ka lajm! E ftuar dje pasdite në shtëpinë e gjithë shqiptarëve “Rudina” të Rudina Magjistarit, ajo ndau projektet e fundit të rëndësishme dhe ato që e presin!
Kështu në këta 3 muaj që lamë pas, Enada prezantoi linjën e saj të parfumeve At’Nikolla, që përbëhet nga 8 fragranca (Nadakoll, V Love, Tirana (Women + Men), Pano, Black Rose, Haute Couture dhe Bordo), kurimin dhe realizimin e shfaqjes Makbeth në Teatrin Kombëtar, kostumografinë e operetës “Lakuriqi i natës”, ndërsa menjëherë me përfundimin e kësaj të fundit do të nisë punën për ideimin dhe realizimin e veshjeve të grupit dhe këngëtarit Eugent Bushpepaj, që do të marrë pjesë në Festivalin Europian! Kështu Enada ndër të tjera zyrtarizoi dje edhe faktin se është ajo stilistja e zgjedhur për në Eurovizion! Por, një detaj personal mjaft interesant i këtij rrëfimi të Enadës ishte surpriza që ajo ju kishte bërë familjarëve në ditëlindjen e saj!
“Linjën e parfumeve unë e prezantova në ditën e ditëlindjes sime! Nuk kisha qejf të bëja një event rutinë, siç ndodh shpesh, pavarësisht se edhe unë bëj, por i bëj sipas mënyrës sime. Kështu ftova miqtë dhe të afërmit e mi duke ju thënë që kam ditëlindjen dhe do t’ju tregoj dhe diçka”, e me siguri të gjithë janë befasuar nga ajo që Enada ka treguar në këtë rast, por për fëmijët dhe bashkëshortin surpriza nuk mbaroi këtu! Javët e fundit para se të prezantoja parfumet isha shumë e zënë me përgatitjet dhe ndjeja se isha pak në faj me familjen dhe doja t’i gëzoja, kështu që u bëra nga një parfum të personalizuar, vajzës Kendra, djalit Harold dhe bashkëshortit Agim. Duke qenë një festë për të rritur fëmijët donin të iknin me shokët e tyre dhe unë ju thosha prisni dhe pak se kam diçka! Kur ua tregova u gëzuan, pavarësisht se fëmijët u gëzuan më shumë që panë emrat e tyre përsipër sepse nuk e përdorin për momentin. Ndërsa Gimi edhe pse ka parfume e shoh që e pëlqen dhe e përdor!”, tregoi Enada për këtë surprizë tejet të veçantë.
Ndërkaq, sa u përket frangrancave ajo tregoi gjithashtu se kishte punuar mbi 2 vjet për të sjellë linjën e plotë, që nga 1 shkoi në 8 emra “pasi doja që secili të gjejë veten në të, sepse njerëzit shijen dhe nuhatjen e kanë të ndryshme. Parfumet janë realizuar në mënyrë artizanale dhe jo në fabrikë pasi kam dashur që njerëzit t’i pëlqejnë dhe pasi t’i provojnë t’i kërkojnë sërish, jo thjesht të merrnin një parfum për miqësi dhe kaq”!
Enada At’Nikolla i prezantoi 8 emrat e rinj pas suksesit që pati 3 vjet më parë me lançimin e Enada At’Nikolla Prive, e para markë parfumesh shqiptare! Fragrancat e saj mund t’i gjeni në atëlienë e stilistes dhe kanë një vlerë nga 90 – 300 euro!



















