Data 6 e gjeti Elvanën nën entuziazmin e publikimit të ‘Off Guard’. Bashkëpunimi me Ty Dolla Sign mori komente nga më të ndryshmet, ndërsa Gjata duket se po e shijon këtë nisje të karrierës ndërkombëtare. Jo më larg se dje, Elvana na bëri të ditur një tjetër arritje, që si çdo herë mban vulën e Poo Bear.
Ky i fundit ka publikuar albumin e ri me pesëmbëdhjetë këngë, të titulluar ‘Bearthday Music’. Në vendin e gjashtë renditet kënga ‘Shade’, një bashkëpunim me Elvana Gjatën. “Isha duke e pritur kaq shumë këtë moment, saqë më dukej se do të shpërtheja. Nuk mund të isha më e lumtur dhe më e bekuar se sa të isha pjesë e albumit tënd unik! Falemnderit për muzikën që më dhurove dhe për çdo gjë që ke bërë për mua”, ka shkruar Elvana, duke iu referuar Poo Bear.
Marrëdhëniet e punës mes saj dhe producentit po shkojnë gjithnjë e më mirë, e duket se Gjata synon lart e më lart me Poo Bear përkrah. Tashmë, presim një album ndërkombëtar nga këngëtarja!



















