“Dua të jem optimiste. Uroj të vijë era e ndryshimit. Statusi i aktorit, pagesat dhe hapja e teatrove të tjera. Ky është “optimizmi”.
Arjola Basho spikati së fundmi në skenën e Teatrit Kombëtar me rolin e Magjistricës në tragjedinë “Makbeth” të Shekspirit. Një vajzë e pashme, fizik prej modeleje, një aktore e guximshme, me një jetë artistike e cila nisi vite më parë. Por për aktoren sfida e një artisti kur mbaron studimet nis me ndërtimin e profilit artistik. Kjo për Arjolën që njohim sot me role në teatër dhe ekranin e kinemasë nuk ka qenë e lehtë. “Që në përfundim të studimeve u përballa me sfidën e madhe të ndërtimit të profilit si artiste, e cila u shoqërua me vështirësi nga më të ndryshmet. Dihet që një aktor i ri nuk e ka të thjeshtë: sepse kishim vetëm një Teatër Kombëtar dhe mundësitë në të ishin të pamundura. Më vonë u krijua teatri i Metropolit, pastaj Teatri i Komedisë, e tani Eksperimentali. Pra e vetmja mundësi ishte të punoje si aktore e jashtme për të qenë pjesë e një projekti ku ishte fat të luaje krah aktorëve profesionistë e në karrierë”, tregon aktorja. Por kjo kërkonte shumë durim, sepse fillimisht një artist i ri apo artiste e re i do të gjitha dhe është e pamundur, por duhet shumë pasion. E falë punës së madhe Arjola Basho arriti të luante edhe në shfaqje të tjera. “Duhej shumë sakrificë për faktin që nëse flasim për pagesë, ishin jo shumë të kënaqshme dhe kjo të detyron të shikosh hapësira të tjera. Por sërish nuk është e thjeshtë, kudo të punosh sërish shpirtin e ke tek skena, tek teatri”, pohon ajo.
Mundësi të pakta për artistët
Edhe pse u bë një dekadë që Arjola Basho është aktive në jetën artistike ajo pohon se Shqipëria nuk ofron shumë mundësi. “Të paktë janë aktorët që mbarojnë Akademinë dhe kanë ushtruar profesionin e tyre. Uroj që gjërat të ndryshojnë në një kohë të afërt. Pra sistemi i punësimit të aktorëve, rishikimi i ligjit, statusi, hapësira dhe teatro më shumë. Dhe kjo është jo vetëm në të mirën tonë po edhe për shumë mundësi për jetën artistike”, vijon më tej ajo. Por përballë kushteve dhe mundësive që janë sot për artistin në vend, duket se ata nuk e gjejnë veten ashtu si do dëshironin. “Veten nuk e gjej ashtu siç do doja, sepse është sistemi, politikat. Me gjithë dëshirën e mirë dhe me besimin se gjërat do ndryshojnë, por dihet shumë mirë si është edhe gjendja e përgjithshme e artistëve, kjo edhe falë debateve të ndryshme për teatrin si institucion dhe të drejtave të artistëve”, pohon aktorja. Përballë vështirësive optimizmi nuk mungon te artistët dhe presin të vijë ndryshimi për më të mirën në jetën artistike. “Dua të jem optimiste. Uroj të vijë era e ndryshimit. E thashë edhe me sipër, statusi i aktorit, pagesat dhe hapja e teatrove të tjera. Ky është “Optimizmi””, vijon aktorja.
Disiplina në punë, drama, komedia dhe filmi
Një artist i ri i gjendur në një kastë aktorësh të vjetër gjithmonë ka se çfarë të marrë nga kjo eksperiencë. Ky profesion pohon Arjola Basho do dhe një disiplinë të hekurt. “Kam punuar me aktorë të vjetër. Në fakt janë ata që kanë dhënë shembullin, që ky profesion do një disiplinë të hekurt dhe ta bësh me shpirt dhe sakrificë, kjo falë eksperiencës së tyre. Dhe këtë e thonë shpesh ata kanë qenë si ne, dhe punë vetëm punë pohojnë”, tregon aktorja për eksperiencën me artistët, që prej dekadash kanë qenë në skenë. Me personazhe të ndryshme ajo nuk ka munguar në dramë dhe në komedi, që sipas saj një fije e holle i ndan. “E njëjta punë bëhet, normalisht varet nga vepra, pra autori. Këtu ti shikon peshën e veprës. Kam punuar edhe dramë, komedi, tragjedi. Ndonjëherë është më e vështirë të bësh të qeshin sesa të qajnë”, duke shtuar se çdo rol do punën e nevojshme. Filmi sipas saj është tjetër gjë edhe pse në kinema mundësitë janë akoma dhe më të pakta. “Ka pak prodhim, numër i kufizuar sepse filmi kërkon shumë buxhet. Megjithatë ekrani i kinemasë është magji, është po aq magjepsës sa është edhe teatri”, tregon ajo. Arjola Basho sot është një aktore e cila njihet dhe vlerësohet nga publiku, edhe pse për të arritur deri këtu nuk ka qenë e lehtë. Por dëshira për aktrimin ka qenë që e vogël dhe më pas u përforcua në vitet e gjimnazit. “Duartrokitjet e para i kam marrë nga bashkëmoshatarët e mi, duke bërë minishfaqje të vogla dhe pasoi me studimet në Akademinë e Arteve”, kujton aktorja rrugën drejt aktrimit. Për një artist reagimi i publikut është gjithmonë i rëndësishëm dhe Arjola Basho në skenë gjithmonë përpiqet të japë maksimumin e saj, gjë që i ka dhënë vlerësime.



















