Të dyja quhen Kate, dhe ndoshta kjo mund të ketë qenë arsyeja e ngatërresës, që sipas USA Today ishte thjesht pasojë e një gabim në sistem, i cili nuk do të përsëritet më. Por Kate Beckinsale nuk e la pa përgjigje faktin qe e ngatërruan me Kate Middleton.
Aktorja e famshme hollivudiane postoi disa foto nga shtrati i spitalit ku ishte shtruar pas problemeve me cistet në vezore, dhe mes mediave të shumta që e raportuan online ishte dhe USA Today e cila në artikull, në vend të Beckinsale, kishte vendosur foton e Dukeshës së Kembrixhit.
Gazeta kërkoi ndjesë, por aktorja nuk e la me kaq. “Jam tejet e prekur nga të gjitha urimet që kam marrë ditët e fundit dhee tronditur nga historitë e vajzave që kanë vuajtur nga i njëjti problem. Por ndihem shumë më mirë dhe shpresoj që edhe ato gra e vajza që kanë vuajtur nga kjo gjë të ndihen njësoj. Tani po u kthehem punëve në Pallatin Mbretëror. William ju përshëndet”, – ishte komenti gazmor i saj.



















