Kanceri i zorrës së trashë (kolorektal) ose sic njihet ndryshe kanceri i kolonit, në përgjithësi, nis në formën e formacioneve beninje të quajtura polipe adenomatoze por, me kalimin e kohës, disa prej këtyre polipeve mund të transformohen në formacione malinje.
Bazuar në statistikat botërore vlerësohet se Kanceri Kolorektal renditet i dyti në listën e tumoreve për nga % e vdekshmërisë tek të dy gjinitë, si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat, me një incidencë të shtuar në moshat mbi 45 vjeç. Por së fundmi është vënë re një rritje shqetësuese e numrit të rasteve edhe në moshat e reja. Një polip prej 1 cm diametër kërkon rreth 10 vite që të shndërrohet në malinj, pararëndes i kancerit të zorrës së trashë. Prandaj zbulimi në kohë i këtyre lloj polipeve dhe heqja e tyre shmang mundësinë që ato të kthehen në formacione malinj (kancerogjenë).
Bazuar në studimet dhe statistikat botërore, mjekët specialistë ngrenë zërin mbi rëndësinë që ka kryerja e kontrollit të Kolonoskopisë (ekzaminimi endoskopik i zorrës së trashë), ekzaminim ky që është edhe mënyra më efiksase për parandalimin dhe diagnostikimin në kohë të këtij lloj Kanceri. Kjo merr një rëndësi akoma më të madhe nëse marrim parasysh faktin që kjo patologji në stadet fillestare të saj ka shumë pak ose aspak simptoma të dukshme, duke ndikuar kështu në avancimin e stadit të sëmundjes.
Cilat janë ato simptoma që mund ti konsiderojmë si alarmante dhe për të cilat duhet të paraqitemi urgjentisht te mjeku specialist:
· Prezencë gjaku në jashtëqitje
· Dhimbje barku
· Anemi për shkak të humbjes së gjakut
· Ndryshime në zakonin e jashtëqitjes
· Rënie e pashpjegueshmë në peshë
Cilët janë faktorët e rrezikut të Kancerit të zorrës së trashë:
· Mosha mbi 45 vjeç
· Histori familjare, të afërm të diagnostikuar me kancer të zorrës së trashë (babai, nëna, vëllai, motra, fëmija)
· Dieta e pasur në yndyrna shtazore(mishi i kuq) dhe e varfër në fruta dhe perime
· Duhanpirja
· Mbipesha
· Jeta pa shumë aktivitet fizik
· Sëmundjet inflamatore të zorrës (kolit ulçeroz dhe sëmundja e Crohn)
· Sëmundje të trashëguara që prekin zorrën e trashë