Udhëtim në kanionet më të bukura të Shqipërisë nga Jugu në Veri, duke zbuluar një atraksion të paprekur, turizmin e rrallë për të zbuluar vende dhe një kulturë të rrallë kulinarie
Shumë pak e kishin menduar se grykat që fshinin ujdhesat herë të qeta, e herë të rrëmbyera të lumenjve tanë, do të ktheheshin në një destionacion turistik mbushur plot magji dhe adrenalinë. Kanionet shqiptare kohët e fundit janë kthyer në një pikëtakim për shumë nga ata që duan të zbulojnë deri në pikën e fundit destinacionet unike, ato që ndoshta nuk janë aq masive, por ama që ofrojnë përvoja unike. Zbuloni në këtë udhëtim të Bordo kanionet tona më të bukura, nga madhështia e atyre të Osumit te ravijëzimi intim i kanioneve të Holtës, rrugët ujore dhe shkëmbore ku ecën Nivica apo Erzeni, ku do të përjetoni një eksperiencë e cila do tju rikthejë sërish qoftë edhe në njerën prej këtyre destinacioneve. Aty mund të zbuloni adrenalinën e sporteve, por edhe kulinarinë e rrallë të këtyre zonave, habitate dhe ekosisteme që fshehin specie të rralla, e mbi të gjitha një mikpritje të rrallë…!
Kanionet e Holtës
Një nga sekretet më mbresëlënëse që Shqipëria ende rezervon për turistët vendas dhe të huaj është Kanioni i Holtës. Të paktë janë ata që e kanë dëgjuar, e akoma më të paktë ata që e kanë parë nga afër këtë mrekulli që arrihet në më pak se dy orë me makinë nga Tirana, shumë pranë Gramshit. Një nga perlat e bukurisë natyrore të vendit tonë është dhe Kanioni Holtës, që ndodhet në lumin me të njëjtin emër Holta dhe nis shtrirjen e tij nga fshati Bardhan deri në fshatin Kobash. Kanioni i Holtës shtrihet përgjatë 3 kilometrave, me shpatet e luginës që arrijnë deri në 100-150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 3 m. Kanioni ka shpate të thepisura të mbushura me shpella karstike, si dhe gropa me ujëra termale. Teksa i afrohesh kanionit, syri të sheh së largu një urë druri të vjetër që varet mes dy shpateve. Qetësi! Bimësia kacavirret shpateve dhe uji që rrjedh nëpër këmbët e tua, e po ashtu nga shkëmbinjtë, duke krijuar disa ujëvara të mrekullueshme në miniaturë. Pak më tutje, shfaqen gropa me ujëra termale. Fundi i kanionit kulmon me një gur madhështor i cili duket i vendosur aty para shumë kohësh nga ndonjë krijesë mitologjike. Në shpatet e thepisura, gjenden shumë shpella karstike që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive. Masivët shkëmbore rrethohen nga pyje drurësh të rrallë si panja, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh, por mbreti mbetet ariu i murrmë, një specie gati në zhdukje prej gjuetisë së paligjshme që ushtrohet akoma.
Nëse doni që aventura juaj të mos mbarojë, vizitoni edhe ujëvarën e Sotirës, më e larta në Shqipëri rreth 100 metra, e cila ndodhet 20 km nga qyteti. Për të gjithë ata që kanë shpirtin e aventurës, duan natyrën dhe aktivitetin, ky është destinacioni i duhur pasi kërkon plot një orë rrugë në këmbë
Pasi të keni vizituar kanionet, ju mund të shijoni një drekë të qetë qoftë në infrastrukturën mikpritëse të hotelerisë, por edhe bujtina, e nëse është stinë e ngrohtë, mund të vendosni diku një kamping.
Kanionet e Erzenit
Për ata që duan një destinacion pranë Tiranës, një alternativë tepër argëtuese janë kanionet e Erzenit.
Vetëm 20 kilometra larg kryeqytetit, gjendet një nga perlat e natyrës së egër shqiptare, ku mund të vizitoni Kanionet e Erzenit, Syrin e Çiklopit dhe Shpellën e Pëllumbasit.
Kanionet vendosen në rrjedhën e lumit Erzen, disa shumë të rrëmbyer që mund të shfrytëzohen edhe për të ushtruar sportet e ujit. Lumi i Erzenit është i gjatë 108 km, ku aty këtu shfaqen edhe ujëvara të vogla me lartësi 10 metra. Kanioni është i mbushur me vaska, katarakte, guva e ngushtica nga të gjitha format. Natyra ka krijuar në miliona vjet një pamje spektakolare. Për të arritur deri atje shkohet nga Tirana deri në fshatin Pëllumbas me rrugë automobilistike, e më pas mund të ecni në këmbë deri tek kanioni. Diku në mesin e tij janë tre burime që burojnë shumë pranë tij dhe një prej tyre në brendësi të shtratit. Dy prej burimeve kane ujë me mineral squfuri. Kjo bën që uji nga burimet e poshtë të ketë një ngjyrë të kaltër në blu, ndërsa mbi burime ai është me ngjyrë të gjelbër.
Gjithashtu mund të vizitoni shpellën e Pëllumbasit, e njohur ndryshe me emrin Shpella e Zezë, ajo është një nga 6 shpellat e rralla karstike që gjenden në Evropë, duke paraqitur vlera shkencore, arkeologjike dhe kulturore. Ky kanion mund të shfrytëzohet për sportet ekstreme të kanotazhit apo aventura të tjera ujore. Po ashtu mund të vizitoni edhe Syrin e Ciklopit ose siç i thonë ndryshe Gjurma e Ciklopit, e cila ndodhet rreth 4 km poshtë Krrabës, në fshatin e quajtur Skuterrë, në luginën e lumit Erzen. Ai është rreth 20 m i gjerë dhe 120 m i thellë si një perlë e fshehur në grykën e Krrabës.
Pjesa e madhe e restoranteve që ndodhen aty pranë mund të ofrojnë pjatat më të mira, kryesisht recetat tradicionale tiranase, shoqëruar me një kulturë të rrallë gastronimike, ku spikat tava e dheut dhe fërgesa.
Kanionet e Osumit
E kush nuk ka dëgjuar për Kanionet e Skraparit, grykat madhështore që ngrihen në ujdhesën e lumit Osum. Një pamje aq unike e cila ka tërhequr prej vitesh vëmendjen e turistëve nga e gjithë bota, jo vetëm për bukurinë, por edhe për faktin se përgjatë këtyre kanioneve mund të shijoni edhe adrenalinën e aktiviteteve sportive, nga kanotazhi deri tek ngjitjet nëpër majat e thepisura. Lumi Osum formohet nga përrenj të shumtë që rrjedhin nga shpatet e Vithkuqit në malësinë e Korçës dhe shpatet perëndimore te Gramozit në rrethin e Kolonjës. Kanioni i Osumit është më i gjati dhe ka lartësinë mesatare më të madhe në vend.
Sapo kalon qytetin e vogël të Çorovodës dhe merr sipër rrjedhën e lumit, papritmas shfaqet pamja e mrekullueshme e Kanionit të Osumit. Ky kanion është një nga perlat e natyrës shqiptare dhe një vend gati tërësisht i virgjër për t’u eksploruar nga turistet si vendas ashtu dhe të huaj. Kanioni nis në vendin e quajtur Hambull afro 18 kilometra nga qyteti i Çorovodës dhe pëson një ndërprerje pasi kalon fshatin Lapan, për shkak se shtrati i lumit zgjerohet në vendin e quajtur “Mulliri i Babait” dhe prej aty deri në Vaun e Grepckës, gati dy kilometra larg qytetit të Çorovodës kanioni shfaqet madhështor dhe të ofron pamje të mrekullueshme. Por pjesa më e bukur shtrihet nga fshati Blezënckë deri në fshatin Çerenisht.
Kanionet e Osumit, kanë një gjatësi prej 26 kilomatra dhe ndodhen 450 m mbi nivelin e detit. Dy shpatet gjelbërojnë nga bimësia, si mareja dhe shqopa, por ashtu edhe një botë e pasur me gjallesa ujore. Në Kanionet e lumit Osum, ndodhen 6 ngushtica, ku kanioni në shtratin e lumit merr një ngushtësi deri në 1.5 metra. Në muret vertikale të kanionit ka mjaft guva e zgavra të formuara nga proceset e karstit, ku midis tyre dallohet “Vrima e nuses”, që ndodhet 800 metra në afërsi të fshatit të Bigazit, një shpellë karstike në formën e një galerie me gjatësi 8 metra dhe diametër rreth 2 metra me mure gëlqerore.
Në këtë kanion, nga fundi i muajit Prill deri në mesin e muajit Qershor zhvillohet sezoni i sportit të rafting mjaft i preferuar nga turistë që vijnë nga e gjithë bota, kjo për shkak se rrymat ujore janë vërtet mbresëlënëse dhe krijojnë ndjesi unike, për të apasionuarit pas sporteve ekstreme. Kanioni mund të vizitohet edhe nëpërmjet kanoes, kajakut apo varkave të gomës. Vozitja mund të bëhet në çdo stinë të vitit pasi lumi nuk është shumë i rrëmbyeshëm.
Për ata që duan të shijojnë një pamje 360 gradë, mund të ndalojnë në dy ballkonet panoramike, që të ofrojnë mundësinë të shohësh nga lart pamjen e kanionit.
Përsa i takon akomodimit, mund të gjeni hotele dhe bujtina në Skrapar dhe Berat, ku edhe mund të shijoni kulturën dhe historin e dy vendeve, pa harruar shijen që ofron kuzhina vendase e përzier me teknikat e asaj moderne, që kanë tërhequr prej kohësh vëmendjen e vizitorëve.
Kanionet e Nivicës
Një tjetër bukuri natyrore në jugun shqiptar. Kanionet ndodhen në afërsi të fshatit Nivicë të Tepelenës dhe janë fare të prekshme, pasi ndodhen buzë rrugës automobilistike. Por adhuruesit e vërtetë të natyrës, mund të bëjnë një shëtitje malore në lartësitë e Nivicës, ku gjendet kanioni. Kanionet fillojnë sa kalon fshatin Bënçë, duke ndjekur të kundërtën e rrjedhës së lumit. Kanionet e Nivicës janë një mrekulli natyrore, zbuluar dhe eksploruar vetëm vitet e fundit. Ato kanë gjatesi deri në disa km, gjerësi mesatare rreth 15 m, ndërsa thellësia arrin deri në disa dhjetra metra dhe janë formuar nga erozioni i Përroit të Nivicës, pjesë e atij të Bënçës, në shkëmbinj karbonatikë. Përroi i Nivicës, poshtë fshatit me të njëjtin emër, ka formuar një grykë me shtrat tepër të ngushtë, me gjatësi rreth 3 km deri në pellgun e Merje, vend ku bashkohet me Gurrën e Progonatit. Uji shkëputet e bie nga lartësi të mëdha rreth 40 metra dhe formon ujëvara, si ajo e Guvës dhe dy të tjera poshtë saj, ku kanioni, paraqitet me plot kontraste natyrore, rrëpira dhe shpella të shumta në faqen e shkëmbit. Mund të shikoni nga afër edhe madhështinë e dy ujëvarave, ajo e Pesjakut me lartësi 40 metra dhe ajo e Kastravicës me lartësi rreth 100 metra.
Në fshatrat aty afër janë ngritur bujtina ku mund të shijoni kulinarinë e rrallë nga pjatat me bazë mishin, që mbetet edhe pjesa më e rëndësishme e kësaj kuzhine, deri tek produktet e tjera si reçeli dhe glikoja, të cilat konsiderohen një pasuri identifikuese për këtë krahinë.
Kanioni i Lengaricës
Ky kanion me gjatësi 5 kilometra dhe lartësi deri në 150 metra, të mundëson një rrugëtim spektakolar mes shkëmbinjve të krijuar prej miliona vitesh, vendosur mbi lumin e Langaricës, i cili krijon dhe ujërat termale të Bënjës të njohura për vetitë e tyre kurative. Aty mund të shkosh fare lehtësisht përmes rrugës automobilistike të Përmetit. Kanioni ofron një pamje magjike, herë është shumë i ngushtë dhe i lartë, e pastaj duket sikur je mes gjelbërimit, një bukuri e egër, por shumë tërheqëse. Përgjatë Kanionit do të keni mundësi të shihni disa shpella, ku spikat Shpella e Pëllumbave. Kjo shpellë është e gjatë 160 metra dhe e lartë deri në 3 metra, dhe përveç pamjes tërheqëse të saj, mbart vlera të shumta shkencore, didaktike e kulturore, falë mbetjeve të njeriut të gjetura aty që i përkasin periudhës neolitike.
Këtu mund të vizitoni edhe Urën e Kadiut, ura osmane e shekullit të XVIII, e cila të drejton tek shpatet e thepisura të Kanionit. Ky monument i rrallë kulture është një urë tipike me hark punuar me gur, që tregon për ekzistencën e një udhe të vjetër e cila u shërben ende banorëve perreth. Peizazhi natyror i këtij lumi është nga më piktoreskët në gjithë Shqipërinë. Peizazh i bukur, i frikshëm dhe i ndryshueshëm sipas stinëve. Është vërtet një lumë misterioz dhe i bukur, teksa në dimër Lengarica “tërbohet”, në Pranverë ka një qetësi të admirueshme. Kanionet e Lengaricës frekuentohen jo vetëm për bukurinë e tyre, por edhe për rafting me kanoe, një sport i cili po josh shumë vizitorë të udhëtojnë drejt kësaj zone. Por mund të shkoni edhe në Bënjë, ku përvec ujërave termale që mund t’i shijoni sidomos gjatë stinës së verës, aty mund të vizitoni edhe një nga kishat më të bukura të zonës, ku do të admironi ikonostasin e 1904-ës.