Ka zgjedhur rrjetet sociale për të përcjellë mesazhin e saj një vajzë e re shqiptare, e cila e quan veten “numri 69” , në listën e 76 të prekurve nga Covid 19 në Shqipëri.
“ Qëndroni në shtëpi”, ka shkruar vajza në krah të videos, ku rrëfen pa doreza situatën e saj, duke e bere te qarte se ky virus, nuk duhet marrë lehtë. “ Tashmë rezultatet më kanë dalë pozitive për virusin..këtë video e nisa sepse vazhdoj të shoh në internet postime pafund të njerëzve që ankohen për shkeljen e të drejtave me karantinimin, apo që nuk i merr njeri parasysh pasojat psikologjike të të qëndruarit brenda…Përvec kësaj, shoh njerëz që vazhdojnë jetën si normalisht, dalin, lëvizin dhe sidomos në lagjen time kur tashmë është bërë e ditur që jemi të paktën dy veta të infektuar e kushedi sa të tjerë këtu. Pasojat psikologjike të të qëndruarit brenda në shtëpi, sidomos kur je i shëndetshëm, më besoni, janë komplet të papërfillshme krahasuar me pasojat që të le të shikosh një familjar që ta merr ambulanca, një familjar me të cilin do të kesh kontakt vetëm telefonik për kushedi sesa kohë dhe përvec kësaj me pasojën që do kesh kur të të vijnë të të bëjnë analizën, dhe të të trajtojnë sikur je një mbetje kimike…”. Vajza thotë më tej se nuk kanë pasur kontakte me njerëz të infektuar e as me persona që vinin nga jashtë apo të tjerë që të kishin shfaqur simptoma.
“ Nuk e dimë se nga e kemi marrë apo kur e kemi marrë, shprehet ajo duke treguar kështu se tashmë rrezik potencial mund të jenë shumë prej nesh. Vajza thekson se ky virus nuk është shaka, e se duhet marrë seriozisht. Vërtetësia e videos nuk është konfirmuar, por për cdo rast mesazhi që ajo përcjell mbetet i fortë: është koha për të respektuar rregullat, ne mënyrë që të mbrojmë veten dhe të tjerët!