Shkodranët kanë kaluar këtë pasdite 60 minuta ndryshe, nën tingujt e muzikës së mjeshtrit dhe bilbilit të Shkodrës Bujar Qamili.
“Mjeshtri i Madh” organizoi një koncert festiv në qendër, në këto ditë të vështira izolimi për qytetarët shkodran.
Qamili i ka bërë kështu një dhuratë qytetarëve , duke i “ngrohur” me zërin e tij të gjithë shpirtrat e qytetarëve, që këtë koncert të tij e kanë parë dhe shijuar nga dritaret dhe ballkonet e pallateve.
“Të gjithë ju që jeni në ballkone e dritare, ishte një dëshirë jo vetëm e imja, që të jem një orë në mesin tuaj e të kalojmë një pasdite ndryshe nga këto që kemi kaluar, do mundohenm që t’ju kënaq jo vetëm ju por të gjithë teleshikuesit që po na ndjekin drejtpërsërdrejti”.
Qamili këndoi hitet e tij si “Ah Pranvera” që i përshtatet këtij momenti, “Ky marak”, etj.
“Kur më thanë mendova si do jetë një koncert pa spektator, por unë këtë kënaqësi e kam sot, se ky publik nuk më mungon, është kjo Shkodër që me duartrokitjet e tyre më bëri këngëtar, prej duartrokitjeve të tyre jam sot këtu ku jam”, tha ai.
Shkodra është qyteti i dytë pas Tiranës që ka numrin më të lartë të të infektuarve nga Covid-19.