Kjo e sotme është shndërruar në ditën me numrin më të lartë të viktimave nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë. Dy pacientë të infektuar me Covid-19 të cilët po merrnin trajtim mjekësor në Spitalin Infektiv, kanë ndërruar jetë. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Shëndetësisë e cila njofton se pacientët e moshave 67 vjeç dhe 73-vjeçe ishin në terapi intensive dhe vuanin nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese dhe nuk kanë mundur të mbijetojnë. Këto vdekje e cojnë në 41 totalin e viktimave të koronavorusit në Shqipëri.
“Gjatë orëve të fundit një pacient 67-vjeçar nga Tirana ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, i prekur nga COVID19, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, pavarësisht perpjekjeve të stafit mjekësor.Pas nje rëndimi të papritur, 67-vjeçari nuk arriti të mbijetojë nga disfunksioni kardio-respirator, pavarësisht terapisë intensive medikamentoze dhe ventilimit mekanik. 67-vjeçari vuante nga diabeti, fibrilacion atrial, hipertension dhe alzheimer.
Më herët, po në spitalin infektiv ndërroi jetë nga COVID19 një paciente 73-vjeçare nga Shkodra, e cila vuante nga hipertensioni, e shtruar prej disa ditësh në terapi intensive në gjendje të rëndë. Pavarësisht mjekimit dhe asistencës mjekësore, 73-vjecarja nuk mundi të mbijetojë.Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjeve të të ndjerëve që humbën njerëzit e dashur në këtë betejë të vështirë.
Nga fillimi i epidemisë, 41 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me COVID19″, njofton Ministria e Shëndetësisë”, thuhej në deklaratë. Më herët ishte raportuar dhe për një tjetër viktimë nga koronavirusi të moshës 67-vjeçare, i cili ishte nga qyteti i Shkodrës.



















