Gjergj Kaçinari merr pjesë për herë të parë në Festival si këngëtar, pas shumë pjesëmarrjeve si autor këngësh, orkestrues apo instrumentist në bandën e Festivalit. Ndonëse pjesëmarrja e tij e parë në Festivalin nga ku përgjidhet kënga përfaqësuese në Eurovizion, përkoi me një situatë të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, impenjimi i artistit ka qenë tejet dinjitoz me të gjitha komponentët.
“Më jep jetë” është krijimi me të cilin pinjolli i familjes Kaçinari ka sfiduar veten duke ardhur për herë të parë si kantautir në festivalin më të rëndësishëm në Shqipëri, nga ku përgjidhet edhe kënga përfaqësuese në Eurosong. Teksti i këngë është një përjetim personal i artistit e ndonëse është shkruar katër vite më parë, artisti zgjodhi të konkurojë me ‘Më jep jetë’ pasi natyra e këngës është tejet e përshtatshme për një garë të tillë.
Prej vitesh Gjergji është personifikuar me flokët e gjatë kaçurrelë e zërin potent; por në pjesëmarrjen e Fest 59, artisti zgjodhi të vijë krejt ndryshe me paraqitjen e tij. Me flokët e prerë shkurt, tashmë në portretin e rrokerit dallohen lehtësisht tiparet e hijshme.
Kaçinari ja besoi dukjen e tij në Festival stilistes Enada At’Nikolla, e cila krijoi një veshje të personalizuar me anë të së cilës shpaloset natyra potente e mistike e artistit dhe këngës.