KreuCelebrity

Renuar Locaj ,Impresionisti i fundit

Ju ka ndodhur ndonjëherë që të shikoni fotot që keni bërë përpara disa viteve dhe të mos pëlqeni shumë elementë aty? Veshja ju duket jashtë mode, stili i flokëve i çuditshëm dhe make up jo i përshtatshëm? Duhet të dini që nuk ndodh kështu me të gjitha fotot. Ka disa prej tyre që i sheh gjithnjë me kënaqësi dhe madje të përkëdhelin dhe sedrën me elegancën që ato përcjellin, edhe pse mund të jenë bërë 10 vite më parë… Këtë ndjesi të japin fotot e Renuarit, edhe nëse janë të shkrepura para shumë kohësh. Ai në çdo moment është kujdesur që çdo detaj në foto të jetë i përsosur dhe që t’i përkasë çdo kohe.

Klasi dhe stili që karakterizojnë fotot e tij nuk janë të rastësishme. Unë e kam njohur para shumë vitesh dhe emri i impresionistit francez në një djalosh të ri shqiptar, më intrigoi pa masë. Renuari ka lindur në një familje artistësh dhe ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura për pikturë. Emrin e tij njohin jo nga Renoir Francez, por si Renuarin –  artistin Shqiptar, Renuarin e fotove mbresëlënëse dhe Renuarin e palodhur për të nxjerrë më të mirën te kushdo dhe kudo, pavaresisht rrethave dhe situatave.

Kur shikoj fotografite e Renuarit, ndihem shumë mirë me veten dhe njerëzit më duken më të bukur, më së shumti përbrenda. Shikoj faqen e tij te ëeb-it dhe social media dhe kuptoj që talenti lind edhe në një vend të vogël si Shqipëria. Kuptoj që të punosh me pasion është vlerë e shtuar. Bindem që perfeksioni gjendet edhe në atë rrudhën e vogël tek syri apo në ato fijet rebele të flokëve që kanë dalë në fytyrë.

Mahnitem nga ngjyrat, format, tekstura, hapësira që ai i harmonizon kaq bukur… Më frymëzojnë raportet dhe marrdhënia e tonaliteteve në fotografinë e tij. I sodis me ëndje dhe ndjej se jeta është e bukur. Punët e tij janë më tepër se thjesht foto. Në portretet që ai fotografon, mund të vësh re që janë fiksuar jo vetëm tiparet e personit që ndodhet përballë kameras, por edhe ndjenjat e tij. Fotot e Renuarit të flasin dhe përcjellin mesazhe.

Tek bisedon me Renuarin, të bën përshtypje pasioni që ai ka për të bukurën dhe se si ai mundohet ta përcjellë atë edhe tek bashkëpunëtorët e tij. Nuk kursehet me këshillat që jep tek ata që kanë pasur fatin të punojnë me të. Por, nuk duhet patjetër të punosh me Renuarin që të mësosh nga ai. Vetëm duke parë profilin e tij në rrjetet sociale, mëson shumë. Pa dashur, ti kultivon një dashuri për të bukurën, një stil për klasiken dhe njëkohësisht rafinohen edhe shijet. Duket si një mision i tij, i pashprehur dhe pashkruar, që të edukojë njerëzit që e bukura gjendet tek thjeshtësia dhe natyraliteti.

Fotot e Renuarit të mbeten gjatë në kujtesë dhe janë copëza arti ku mund të strehosh shpirtin edhe në ditët më të trazuara.

 

Mund të duket një pyetje klishe, sa fotografi keni realizuar gjatë karrierës tuaj?

Do të përgjigjem më një frazë po aq klishe: shumë dhe shumë pak njëkohësisht. Kam realizuar shumë dhe ka vend akoma e më shumë. Gjithsesi, ajo që synoj më së shumti, nuk është sasia e fotove që realizoj, por të gjitha ato foto që unë nxjerr t’i rezistojnë çdo kohe.

Sot ka shumë fotografë dhe pak fotografi cilësore, çfarë e shqetëson një profesionist si ju?

Fakti që sot ka shumë fotografë, nuk më shqetëson aspak, komercializmi, si dhe çdo fushë tjetër të artit, ka prekur edhe fotografinë. Por unë do të thoja se profesionistët aktualë, duhet të kontribuojnë akoma më shumë për të edukuar shijet dhe vlerat e vërteta në shoqëri. Duhet të jemi më shumë të hapur ndaj prujreve të reja në këtë fushë. Gjithsesi, është shumë mirë që ka shumë persona të interesuar për fotografinë, pasi vetë koha dhe përkushtimi i tyre do të filtrojë artistët e vërtetë. Nga këta sot “shumë”, nesër do të jenë ata “pak”.

Shumë foto dhe shumë retouch, a rrezikon ky fenomen të ardhmen e fotografisë?

Artisti i vërtetë duhet të njohë limitin se deri ku duhet të bëhet retouch një foto. Sigurisht që janë mjete që i përdorim në punën tone. Por kur këto mjete fillojnë e përdoren për të ndryshuar apo deformuar karakterin, atëherë nuk kemi më të bëjmë me fotografi.

Çfarë ju frymëzon më shumë, një modele apo personazh VIP?

Mua më frymëzon e veçanta, karakteri, e bukura, thjeshtësia që gjendet në cilindo prej nesh, pavarësisht nëse është VIP, modele apo një njeri i zakonshëm. Cilido individ, ka të veçantën e tij që e bën unik! Përsa i përket konkretisht pyetjes, ne kemi shumë persona VIP që janë modele dhe shume modele që janë VIP. Në kohët e sotshme nuk kanë më dallim, pavarësisht pikënisjes së tyre.

Cila është ai personazh që sa herë  e ke fotografuar, je ndier komod dhe pse?

Unë ndihem komod me të gjithë ata që janë vetja në setin fotografik. Kërkoj të shpreh karakterin dhe personalitetin e personit që është në setin fotografik. Të jap një imazh të përsosur të një personi është kënaqësia më e madhe në punën time. Deri më sot, gjej një bashkëpunim shumë të mirë me të gjithë.

Çfarë të nevrikos më shumë gjatë një fotosesioni, të lutem thuaj të vërtetën?

Po vijoj të të them të vertetën, siç kam bërë deri tani. Nuk ndodh ndonjëherë të nevrikosem, por mungesa e respektit për kohën e tjetrit më bezdis shumë. Kur një person nuk shfaqet në orarin e caktuar në një fotosesion më bën të mendoj se ai nuk ka konsideratë për kohën e humbur të të gjithë atyre që do të bashkëpunojnë. Fatmirësisht kjo nuk ndodh shpesh, por ka ende raste të rralla.

Dua të etiketoj fotografinë tuaj si loja mes dritës dhe hijes? Kush është me e bukura për ju?

Harmonia! Vetë fotografia është Dritë dhe Hije. Harmonia që krijohet midis tyre është ajo që ka rëndësi për të na dhënë gjallërinë, shkëlqimin, gjendjen dhe atmosferën.

Helmut Newton thotë: nuk dua të bëj foto të bukura, por foto që dhurojnë ndjesi të bukura, po për ju cila ka më shumë rëndësi dhe pse?

Për mua e rëndësishme është të bëj foto që dhurojnë ndjesi, qofshin ato emocione të bukura apo ndjesi të trishta. Të gjitha ndjesitë janë pjesë e jetës, dhe këtë kërkoj dhe të pasqyroj në fotot e mia, karaktere të vërteta, qofshin ato rebelë, të përulur apo krenarë. Disa thënie janë të pavdekshme për shkak të ndjesisë pozitive që të përcjellin. Por ka foto shumë të bukura artistikisht, që ty të shkaktojnë dhimbje tek i sheh. Neëton kishte zgjedhur të fotografonte më së shumti ato që vetë ishin të bukura nga natyra dhe prandaj ka qenë me këtë ide. Pavarësisht kësaj, unë me punën time kërkoj që të ndaj me të gjithë botën imazhe të bukura, të vërteta dhe me karakter, që të frymëzojnë të gjithë, që të jenë në përmirësim të vetes së tyre.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF