KreuCelebrity

Intervistë Marsela Çibukaj/Një biletë vajtje- ardhje 

 ‘Tirana- Roma, Vajtje-Ardhje’; është eventi që të riktheu në ‘skenë’, ndonëse online pas muajve të gjatë pauze për shkak të pandemisë! Çfarë emocioni përjetove? 

Me siguri kisha shumë mall të prekja skenën pas kaq shumë kohe, të performoja përsëri me muzikantët me të  cilët zakonisht udhëtojmë nga qyteti në qytet në  këtë  periudhë  festash. Me siguri kjo ishte periudha më  e gjatë  shkëputje nga muzika për mua që jam mësuar të jem gjithmonë  në skenë.

Roma dhe Tirana, çfarë personifikojnë për ty këto dy qytete? 

Roma është  qyteti ku unë u rrita, u formova si person dhe si artiste, ku mësova shumë  rreth mënyrës së të menduarit dhe të  perceptuarit art dhe muzikë. Është vendi  ku unë  kam shumë  kujtime fëmijërie, ku kam ende familjen dhe miqtë e fëmijërisë. Tirana është  qyteti ku unë  shpalosa tek një  publik më i gjerë artin tim, ku pata mundësi të prekja skena edhe më të mëdha. Është kryeqyteti i vendlindjes time ku kam rrënjët, ku ndjej fort trashëgiminë e kulturës time. Është  qyteti ku jetoj, ku kam ndërtuar aktualisht folezën  time.

Çfarë ka Roma që nuk e gjen në Tiranë dhe çfarë ka Tirana që nuk e gjen në Romë? 

Janë dy qytete të ndryshme; me siguri Roma ka atë ndjesinë e të kaluarës dhe të  historisë së lashtë shumë më të pranishme. Është qytet më i madh dhe vështirë  të  përsërisë dy herë të njëjtën gjë. Tirana është si familje e madhe, me shumë  pak kohë dhe mund ta njohësh, ta bësh tënden. Është gjithçka më praktike më e kapshme. Tashmë në të dyja kur shkoj ka diçka që më mungon nga qyteti tjetër. Janë të dyja shumë të rëndësishme për mua.

Për Marselën si artiste, si ka qenë kjo periudhë kur muzika është ndaluar kudo? 

Me siguri një periudhë e vështirë. Muzika është një pjesë e rëndësishme pa të cilën nuk jetoj dot. Fakti që nuk kemi patur shumë që të jemi aktivë dhe të jemi prezent tek publiku, është një mungesë shumë e madhe. Por nga ana tjetër kjo është një situatë e vështirë në nivel botëror ndaj shpresojmë të gjithë të kalojë sa më shpejt.

Po jetojmë një kohë stresante, ku pothujse gjithë botën e ka kapluar frika dhe pasiguria! Çfarë bën Marsela për t’i ngritur moralin vetes dhe të tjerëve? 

Edhe Marsela si të gjthë të tjerët herë mërzitet herë i jep vetes dhe të tjerëve pak forcë. Gjatë karantinës së mars/ prillit përshembull, çdo pasdite bashkë me Vitmarin nga shtëpia jonë performonim për publikun që na ndjek në rrjetet sociale me siguri sepse besojmë tek fakti që është një moment ku duhet t’i trasmetojmë njëri-tjetrit sa më shumë diell dhe energji të mirë. Për t’i ngritur moralin vetes me siguri mendoj që vështirësinë më të madhe po e jetojnë ata që kane dikë sëmurë apo janë vetë në gjendje të tillë. Pra rëndësia e shëndetit është absolute. Kjo më bën të minimizoj çdo shqetësim tjetër .

Sakaq kemi parë që historia e bukur e dashurisë me Vitmarin ju ka kthyer në ‘couple goals’ në Shqipëri? Megjithatë duhet të ketë edhe gjëra që ju bezdisin tek njëri-tjetri!!

Si të gjithë çiftet që dashurohen ka gjera që dashurojmë nga njëri-tjetri, ka gjëra që durojmë më pak. Përshembull së fundmi Vitmari nuk duron faktin që nuk jam e rregullt me marrjen e vitaminës C, që duhet për të krijuar pak më mbrojtje në këtë periudhë që po jetojmë.

Këshilla më e mirë që ke marrë në karrierë cila ka qenë dhe nga kush?

Të gjitha këshillat janë të rëndësishme dhe unë mundohem t’i dëgjoj me shumë vemendje të gjitha, qoftë edhe kur ai vjen nga publiku apo nga një profesionist. Me siguri artisti që vlerësoj jashtë mase shumë dhe ku kërkoj një këshillë të mirëmenduar  dhe profesionale është Ardit Gjebrea.

A ka patur persona që të kanë penguar gjatë karrierës dhe nëse po cila është përgjigja që do t’i jepje sot? 

Kam arritur në konkluzionin që edhe ata të paktët që janë munduar të më pengojnë në jetë janë për t’u falenderuar pasi ndoshta nuk do kisha patur të njëjtën energji dhe vendosmëri për të ndjekur objektivat dhe ëndrrat e mia.

Cilat do të ishin ndryshimet që do të doje të ndodhnin në muzikë? 

Të dëgjohej pak më shumë muzikë e mirë, me tekste pak më inteligjente dhe muzikë të mirëkompozuar. Unë mendoj se publiku meriton më shumë se sa kaq që po dëgjojmë. Unë jam pak me ‘OLD’ në shije ndoshta .

Si e ke bërë 1 euroshin tënd të parë? 

Ska qënë 1 euro por lekë, dhe e gjeta brenda kulaçit që mami na përgatiste çdo Vit të Ri. Me atë fitova qeskën me 1 portokalle, 1 mollë , 1 mandarinë dhe 4 arra. Isha papritur fëmija më i lumtur në botë.

A ka  një person që ti e admiron dhe pse? 

Prindërit e mi. Janë dy prindër të shkëlqyer që kanë sakrifikuar çdo gjë per ne vajzat (mua dhe motrën). Atyre do t’i jem gjithë jetën mirënjohëse.

Filmi/ seriali i fundit që ke parë? 

“Casa de Papel” në Netflix, thjesht kryevepër,

Këngët që të bëjnë gjithmonë për qarë? 

Ka shumë, së fundi është një që ka kompozuar dhe shkruajtur Vitmari që titullohet “GushëKuqi” ku flet për gjyshin e tij që ka dashur shumë dhe është kaq e bukur sepse është e vërtëtë dhe më kujton mungesën që ndjej për gjyshërit e mi.

Cila është ajo gjë që çdo grua duhet ta provojë të paktën një herë në jetë? 

Egoizimin, ku për egoizëm nënkuptohet pak më shumë dashuri për veten. Gratë në përgjithesi janë më shumë të dedikuara për të mirën e të tjerëve se për veten.

Cilat janë ushqimet për të cilat ja vlen ‘të mëkatosh’? 

Ëmbëlsirat. Si mund të mos mëkatosh përpara një kasate akullore apo nje kadaif plot arra??!!

Si do ta preferoje nisjen e një dite? 

Një kafe të mirë, dhe një avion për diku në ndonjë vend plot diell.

Po mbylljen e një dite? 

Me puthjen e personit që do dhe të do.

Cila është ajo gjë tek e cila ti mendon se je veçanërisht e mirë? 

Jam shumë e zonja t’i krijoj ankthe të kota vetes. Jam shumë e mirë të gatuaj apo të menaxhoj situata të papritura.

Cila është ajo gjë tek e cila ti je katastrofë? 

Menaxhimi i ekonomisë, nuk jam fort e mirë; ja delegoj Vitmarin këtë.

Cili është dyqani nga i cili nuk largohesh dot pa blerë asgjë? 

Libraria ose dyqani i disqeve është e pamundur të largohem nga një dyqan i tillë pa blerë diçka .

Më trego diçka të mirë që ke bërë për veten së fundmi? 

Kam lexuar disa libra që flasin për vetëbesimin dhe menaxhimin e mundësive që na ofrohen për të realizuar më mirë ëndrrat që kemi.

Më trego një sekret bukurie që nuk kushton asnjë lek? 

Përveç buzëqeshjes dhe diellit, mund të sugjeroj mjaltin. Është ilaç për çdo gjë edhe një aleat i mirë për bukurinë.

Cila do të ishte ajo këshillë që do t’i jepje një gruaje që sapo i është thyer zemra? 

Thonë që mbarimi i diçkaje shënon fillimin e diçkaje tjetër të re ndaj ska vend për dëshpërime. E vetmja gjë që ka me të vërtetë rëndësi jemi ne dhe çdo eksperiencë shërben për të na bërë më të forta.

Cila do të ishte ajo këshillë që do t’i jepje Marselës  18 vjeç? 

Ta merrte jetën pak me më shumë mendjelehtësi dhe të shijonte një periudhë të bukur që nuk kthehet më.

Çfarë mendon se do të thoshte tani i dashuri i gjimnazit për Marselën? 

Nuk mbaj mend të kem patur të dashur në gjimnaz , isha shumë e angazhuar me muzikën dhe koncertet që atëherë.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF