Simbol i stilit të rafinuar italian, Alberta Ferreti dalloi që në krye të herës për veshjet elegante të stilit koktejl me bazë satenin dhe chiffonin, duke u kthyer brenda një dekade si ikona e preferuar e personazheve VIP. Pas plot 40 vitesh marka italiane fitoi famë në të gjithë botën duke zënë një vend dinjitoz në segmentin e linjave luksoze të modës së lartë, duke spikatur për sensualitin dhe romancën në dizenjimet e saj.
Origjina
U rrit në atelienë e nënës së saj, ku mësoi artin e prerjes dhe dizenjimit, ndërsa kur ishte 18 vjeçe, hapi butikun e saj, Jolly Shop. Punët e saj i shiti fillimisht për Armani dhe Versace, derisa në 1980 prezantoi etiketën e saj Alberta Ferretti, ku një ndihmë të madhe i dha i vëllai, i cili punonte për markat Moschino, Jean Paul Gautier.
Philosophy
Pas suksesit me linjën e saj, e cila dallonte për çmimet e shtrenjta, stilistja italiane në 1984 lançoi markën e saj të dytë, ‘Philosophy di Alberta Ferretti’; një linjë e re dedikuar brezit të ri, me një stil më të freskët, por ama po aq cilësore, ku pika kryesore ishin çmimet e përballueshme, krahasuar me markën e saj kryesore.
Fustane madhështore
Falë dizanjeve të saj madhështore sidomos tek fustanet e mbrëmjes, ajo tërhoqi vëmendjen e personazheve të njohur, duke përfshirë menjëherë në katalogun e saj emra të njohur si; Nicole Kidman, Uma Thurman, Julia Roberts, Selma Hayek, Debra Messing, Cate Blanchett, që u kthyen edhe në ambasadoret e saj.
Claudia Schiffer
Në 2009, Ferretti zgjeroi etiketën e saj duke përfshirë një linjë parfumesh, të frymëzuara nga tradita e rafinuar italiane, por dhe mbështetja e Elisabeth Arden, duke zgjedhur supermodelen Claudia Schiffer si imazhin e fushatës publicitare, ndërsa dy vjet më vonë, linja u thellua me disa aroma akoma dhe më të sofistikuara.
Hoteleria
Në vitin 1994, Ferretti krijoi linjën e parë të hotelerisë me Palazzo Viviani; një kështjellë e rinovuar në qytetin e Montegridolfo në Firence, e vendosur mbi brigjet e detit Adriatik, e cila shumë shpejt u bë mjaft e njohur për stilin e veçantë të mobilimit, duke joshur me mënyrën e arredimit vizitorë si Uma Thurman, Carla Bruni.



















