Kolosi i muzikës shqiptare Sherif Merdani ka ndërruar jetë ditën e djeshme (29 gusht) në moshën 81-vjeçare.
Shkak për humbjen e tij është bërë një sëmundje e rëndë. Merdani njihet si një nga këngëtarët më të mëdhenj të muzikës së lehtë shqiptare. Pas Festivalit të 11-të ai, sikurse edhe disa kolegë të tij, përfundoi në burg, ku kaloi 16 vite të jetës. Dramat me regjimin komunist e kanë ndjekur artistin qysh në vegjëli dhe në një prej rrëfimeve të tij, të para pak muajve artisti ka treguar se si regjimi i burgosi të atin dhe vetëm pak kohë më pas i burgosi edhe të ëmën.
“Pasi më burgosën babanë, familjes tonë ju morën të gjithë florinjt dhe na mbeti vetëm një lopë. Nëna ime e shiti lopën dhe menjëherë regjimi pasi na taksoi na e burgosi edhe nënën. Vëllai im i vogël atë kohë ishte 6-7 muajsh ndërsa unë isha 10 vjeç. Pasi ma burgosën nënën, unë fëmijë merja vëllain e vogël që ma mbështillte nusja e axhës dhe e çoja i vetëm në burgun e Korçës që nëna ta ushqente me gji, dhe e ktheja vëllain bebe sërish në shtëpi. Temperaturat ishin -10 gradë celcius”; ka treguar i ndjeri për dramën e familjes së tij ku fatkeqësisht pasi u maturua edhe ai vetë u përball me dënimin me burg për 16 vite.
Disa nga perlat e tij muzikore të asaj kohe janë: “Kartolina”, “A do vish sivjet në plazh”, “Duart e tua” (kënduar në Festivalin e 11-të dhe “Simfonia e nënës”..