Fotoja e një vajze të vogël që ecën duke kërcyer pas zbritjes në aeroportin ushtarak të Meslbroek në Belgjikë nga një fluturim direkt i nisur nga Kabuli ka bërë xhiron e botës, duke prekur zemrat e shumë njerëzve që po ndjekin me ankth dramën e mijëra afganëve të bllokuar në një regjim shtypës sic është ai i talebanëve.
Ata që janë dyndur drejt aeroportit të Kabulit, shpresojnë të gjejnë një jetë më të mirë aty ku do t`i dërgojnë avionët. Më shumë se 100 mijë njerëz janë evakuuar nga Afganistani që prej 14 gushtit, kur militantët morën kontrollin e vendit. Shumë prej atyre që kërkojnë dëshpërimisht të largohen, kanë punuar për organizatat ndërkombëtare gjatë këtyre dy dekadave të fundit, si dhe për ushtrinë amerikane, e për këtë arsye, i druhen shpagimit të sundimtarëve të rinj të Afganistanit.



















