Ndryshe nga vitin e kaluar, kur Times Square heshti në natën e ndërrimit të viteve, këtë radhë kremtimet do të lejohen, e konfirmuar kjo nga kryebashkiaku i qytetit, Bill de Blasio.
Në 2020-tën, kremtimet u anulluan për shkak të pandemisë COVID-19. Këtë vit do të jetë ndryshe, por njerëzit që do të duan të shohin në shesh rënien e famshme të sferës, do të duhet të tregojnë dëshmi të vaksinimit të plotë ose test negativ kundër sëmundjes COVID-19.
Rënia e sferës simbolizon fillimin e Vitit të Ri.
“Më në fund mund të bashkohemi sërish. Do të jetë e mahnitshme, do të jetë një gëzim për këtë qytet”, tha de Blasio. Njerëzit e kanë festuar natën e Vitit të Ri në “Times Square” që në vitin 1904.