Sipas zyrtarëve të OBSH, varianti tjetër i Covid-19 që do të tërheqë vëmendjen e botës do të jetë më ngjitës se Omicron, por pyetja e vërtetë së cilës shkencëtarët duhet t’i përgjigjen është nëse do të jetë apo jo më vdekjeprurës.
Afërsisht 21 milionë raste Covid u raportuan në OBSH gjatë javës së kaluar, duke vendosur një rekord të ri global për rastet javore nga varianti Omicron, tha Maria Van Kerkhove, drejtuesja teknike e OBSH-së.
Edhe pse Omicron duket të jetë më pak i rëndë se variantet e mëparshme, numri i madh i rasteve po shkatërron sistemet spitalore në mbarë botën.
“Varianti tjetër do të jetë më shqetësues dhe ajo që ne nënkuptojmë me këtë është se do të jetë më e transmetueshme sepse do të duhet të superojë atë që qarkullon aktualisht. Pyetja e madhe është nëse variantet e ardhshme do të jenë shumë të rënda”, tha Van Kerkhove.
Ajo theksoi që është kundër teorive që virusi do të transformohet në variante më të buta që i prekin njerëzit më lehtë se variantet e mëparshme, “Nuk ka asnjë garanci për këtë. Shpresojmë që të jetë kështu, por nuk ka asnjë garanci”, tha ajo, duke theksuar se njerëzit duhet të kenë parasysh masat e sigurisë dhe higjienës publike. Për më tepër, një variant tjetër i Covid mund të jetë edhe më rezistent, duke i bërë vaksinat ekzistuese joefektive.