
Pas një studimi të publikuar nga Ministria e Familjes në Gjermani, ku del në pah rritja e madhe e vetmisë tek të moshuarit gjatë pandemisë, bëhet thirrje për një samit kombëtar kundër vetmisë. “Politika nuk duhet të vazhdojë të bëjë sehir, kur pjesë të mëdha të popullatës po vetmohen gjithnjë e më shumë nga pandemia e koronavirusit, deklaroi presidenti i SoVD, Adolf Bauer në Berlin. Ministria e Familjes publikoi një studim, thote DW, sipas të cilit njerëzit e moshuar vuajnë shumë më shpesh nga vetmia për shkak të pandemisë së Covid 19.
Numri i 80-vjeçarëve që janë deklaruar në studim se janë të vetmuar është më shumë se 12%, gati dy herë më shumë se në vitet e mëparshme. Vetmia shtohet në pjesën e fundit të jetës. 22% e personave në moshën mbi 90 vjeç thonë se janë të vetmuar. Gratë janë dy herë më të prekura se burrat.
Por të vetmuar ndjehen edhe grupmosha të tjera.Në një studim të publikuar nga Universivetit Bochum në dhjetor, edhe njerëz në moshë të re ndjehen të prekur nga vetmia, më shumë se para 40 vjetësh, thuhet në studim. Corona e ka forcuar këtë.
“Disa studente e studentë janë më semestrin e tretë por nuk kanë shkelur asnjëherë në universitet”, është shprehur drejtuesi i Shërbimit Telefonik për Ndihmë Shpirtërore të qytetit Bremen, teologu evangjelist Peter Brockmann. Jeta sociale e të rinjve në pandemi është kufizuar ndjeshëm. Që në fund të vitit 2020, SoVD kishte tërhequr vëmendjen për këtë problem në një ekspertizë të saj, ka theksuar Adolf Bauer, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, DPA. “Por që atëherë nuk është bërë asgjë. Vetmia gjendet në të gjitha shtresat e popullsisë dhe mosha. Politika duhet të veprojë tani, ne kemi nevojë urgjente për një samit kombëtar kundër vetmisë.”