Nuk ka ndalesë për Carry-n, Charlote-n dhe Mirandën. Vetëm pak pas mbarimit të sezonit të parë të serialit And Just Like That… vazhdimi i serialit kult “Sex and the city”, vjen lajmi zyrtar nga gjigandi HBO, për një sezon të dytë. Sezoni i parë u prit jashtëzakonisht mirë, madje arriti të ishte një nga serialet më të parë, që prej debutit të HBO Max.
“Jam i lumtur që do të tregoj më shumë histori, me këto personazhe të gjallë dhe kurajoze, të interpretuara nga këto aktore të jashtëzakonshme”, është shprehur skenaristi dhe regjisori i serialit Michael Patrick King, i cili s’e ka fshehur kurrë dëshirën për të pasur një sezon të dytë. “Fakti është që jemi të gjithë të kënaqur. Dhe kështu jeta jonë seksuale është kthyer sërish”, ka thënë ai.
“ Dua t’i zbuloj akoma më shumë këto personazhe. Kërkoj shumë më tepër. Kemi përgjigjet, po ama kemi dhe shumë pyetje”. Seriali është pritur jashtëzakonisht mirë, pavarësisht vështirësive me mungesën e Kim Cantrall, në rolin e një prej personazheve më të dashur të serialit, Samantha, dhe së fundmi me skandalin seksual në të cilin është përfshirë aktori Chris Noth (Mr. Big).