Ndjekja e VIP-ave tanë të preferuar në rrjetet sociale na jep mundësinë të bëhemi pjesë e jetës së tyre qoftë edhe për një moment. Ajo që shpesh harrojmë është se ndonjëherë pas buzëqeshjeve, fotove me shkëlqim dhe sukseseve fshihet një realitet shumë i ndryshëm nga ai që mund të imagjinojmë.
Një shembull i kësaj është postimi i fundit i publikuar në Instagram nga balerini i njohur Kledi Kadiu. Balerini zbuloi se pak muaj pas lindjes djali Gabriel vuajti nga një sëmundje e rrallë e quajtur meningoencefaliti (meningjiti). Ai vendosi të ndajë me ndjekësit kalvarin që përjetuan ai dhe gruaja e tij Charlotte Lazzari, duke shpresuar se do të jenë një shembull për nënat dhe baballarët që përballen me të njëjtën gjë.
“Charlotte dhe unë kemi vendosur të tregojmë një pjesë të historisë sonë, duke shpresuar se kjo ndarje do të jetë një shembull për nënat dhe baballarët që janë në një udhëtim të ngjashëm me tonën. Ne prisnim momentin e duhur për ta bërë këtë, duke ruajtur në radhë të parë djalin tonë, motrën e tij të vogël dhe energjinë tonë. 13 ditë pas lindjes, Gabrieli shfaqi ethe dhe konvulsione të rënda, shprehje e një diagnoze mjaft komplekse: meningo-encefalit. Fillimi i një sprove që na vuri vërtet në provë. Gabrieli mbijetoi dhe pasi hapi sytë, hap pas hapi dhe me guximin e heroit, përdori të gjitha forcat për të rimarrë atë që i mori kjo ngjarje e paparashikuar. Pas më shumë se një muaj e gjysmë shtrimi në terapi intensive dhe shumë e shumë ekzaminime, u kthyem në shtëpi, të vetëdijshëm se rruga e rikuperimit do të ishte e gjatë dhe kërkuese. Ne filluam menjëherë një proces rehabilitimi të hershëm gjë që na lejoi të kuptojmë plotësisht se si ta ndihmojmë më së miri fëmijën tonë përmes lojës dhe stimulimit të synuar.
Ne nuk duam të fshihemi pas fjalëve duke pretenduar se gjithçka është e thjeshtë, por besojmë jashtëzakonisht në neuroplastikën, në vullnetin e pakufishëm të luftëtarit tonë të vogël, në qëndrueshmërinë dhe dashurinë si stimulin më të mirë për të mësuar dhe pikërisht për këtë vendosëm të ndajmë historinë tonë. Kur ndodhin gjëra të tilla mund të jetë e vështirë të gjesh forcën për t’u rikthyer në sipërfaqe. Ndryshimi mund të bëhet nga njerëzit që zgjidhni të keni në krah dhe profesionistët që merren me rritjen e fëmijës suaj. Nuk është e lehtë të përkthejmë ndjenjat tona në disa rreshta, sigurisht që ndihemi jashtëzakonisht mirënjohës që kemi pranë Gabrielin që na mëson çdo ditë se sa e çmuar është dhurata e jetës”, shkroi ai.