Organet e drejtësisë në Kosovë, zotërojnë dëshmi me video se reperi Asdren Gjikolli, i njohur si Gjiko, është i përfshirë vërtet në rastin e dhunimit seksual të një të miture.
Kjo dyshohet të ketë ndodhur në banesën e tij në Prishtinë, pasi këngëtari thuhet se e ka droguar viktimën. Në aktakuzën që e ka siguruar Gazeta Insajderi, thuhet se Gjikolli e ka mashtruar të miturën duke i premtuar se do ta bënte këngëtare. Thuhet gjithashtu se ekzistojnë edhe prova të tjera që dëshmojnë se Gjiko ka kryer edhe tri vepra të tjera penale. “Kam vënë re nga dritarja viktimën duke kryer marrëdhënie me Gjikon. Po kështu e pashë atë duke e filmuar të tërësisht të zhveshur duke bërë disa skena që mua nuk më janë dukur normale”, është njëra nga dëshmitë që figurojnë në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Por reperi reagoi në rrjetet sociale, duke mohuar ekzistencën e këtij filmimi.
Në Instagram, ai tha se nuk ka një video të tillë, pasi ai kurrë në jetën e tij nuk ka dhunuar askënd. Më tej, ai fton mediat që nëse kanë një video, ta publikojnë. Që nga dalja e këtij lajmi, artisti ka denoncuar mediat që e publikuan lajmin, duke vijuar ende me padi ndaj mediave, që sipas tij shpikin. “Ju vazhdoni me video, unë vazhdoj me padi”, ka thënë ai.



















