Britania e Madhe ka shtuar vajzat e presidentit rus, Vladimir Putin në listën e sanksioneve. Londra zyrtare tha se se me këtë vendim synon të shënjestrojë përditshmërinë e atyre që janë në rrethin e ngushtë të Putinit.Pas pushtimit rus të Ukrainës, Britania dhe disa vende aleate të Perëndimit, kujton REL, kanë vendosur një mori sanksionesh, duke shënjestruar elitat e pasura të Moskës, industritë kyçe dhe qasjen në sistemin financiar ndërkombëtar.
Në një përditësim të listës së sanksioneve janë shtuar edhe vajzat e Putinit, Yekaterina Tikhonova dhe Maria Vorontsova. Në listë është përfshirë edhe Yekaterina Vinokurova, vajza e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Të treja ato janë sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara më herët gjatë javës.“Paketa jonë e pashembullt e sanksioneve është duke goditur elitën dhe familjet e tyre, si dhe po dëmton ekonominë ruse në nivel që Rusia nuk e ka parë prej rënies së ish-Bashkimit Sovjetik”, ka thënë Sekretarja e Jashtme britanike, Lizz Truss. Britania e Madhe vlerëson se 60 për qind e rezervave valutore ruse janë ngrirë si pasojë e sanksioneve ndërkombëtare.
Në 24 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar atë që e konsideron “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.