Disa ditë më parë u bë e ditur se moderatoja Eni Vasili do të largohet nga Top Channel, për t’u rikthyer në News24, ose siç edhe ajo e quan në ‘shtëpi’, aty ku edhe emisioni i saj lindi dhe u formësua.
Së fundmi me anë të një postimi në rrjetin e saj social Instagram, Eni Vasili ka zgjedhur që këtë rrugëtim ta mbyllë me një mesazh të veçantë.
Ajo e cilësoi kohën në Top si të paharrueshme pasi gjatë asaj kohë moderatoja u bë nënë për herë të parë e dy vajzave, me të cilat për nëntë muaj realizoi emisionin pa ndërprerje përfshi edhe ditën e zgjedhjeve për 12 orë resht.
“Emisioni Open në Top Channel këtë të enjte nuk do të jetë në transmetim. Ashtu siç e lajmërova në një emision të regjistruar të hënën e shkuar udhëtimi ynë në Top mbërriti në stacion. 4 vite më parë detyra që na u vu përpara ishte një super sfidë, ajo e rikthimit të vëmendjes së publikut. Kjo sfidë bashkë me shumë të tjera që koha na vuri përpara, sot rezultojnë të jenë një sukses për të cilin e vlen të ndjehet i përmbushur kushdo që dha kontribut. Koha në Top për mua do jetë e paharrueshme edhe për një arsye personale.
Aty lindën vajzat e mia. Kaluam të treja 9 muaj të jashtëzakonshëm në studion e Open, nuk munguam asnjë ditë në tryezën e debatit, qëndruam për 12 orë të ulura në një studio transmetimi në zgjedhjet e prillit, e lamë studion vetëm dy javë përpara se krijesat e mia të ëmbla të vinin në këtë botë e u riktheva në shtator në punë ndërsa ato ende nuk kishin bërë 40 ditë. Sot kur e kthej kokën pas mund të ndjehem veç krenare për përkushtimin dhe sakrificën me të cilën çdo ditë e vesh pasionin tim për punën që bëj.
Ju përulem me zemër në dorë për t’u falënderuar për besimin që më dhatë në këto vite. Mbetet privilegji im më i madh të kem mundësinë t’u shërbej. Me Open do të shihemi shumë shpejt në News 24 ku po realizohet një super studio ekskluzive me të cilën do ju njoh së afërmi. Kthimi në News është një kthim në shtëpi aty ku programi u formësua dhe u bë një brand. Aty ju pres për beteja të reja. L❤️ve you all”, ka shkruar ajo.