Nga Anita Aliaj
Fotografia: Leo Arapaj
MUAH: Eni Lena
Të krijosh një balancë mes familjes, fëmijëve dhe karrierës jo gjithmonë është fort e lehtë, ndaj është kaq bukur kur sheh nëna të reja që jo vetëm përkushtohen dhe japin maksimumin ndaj të krijesave të tyre të sapoardhura në jetë, por në të njëjtën kohë nuk lënë pas dore as veten dhe karrierën e tyre.. E tillë është edhe primabalerina e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Adela Muçollari, të cilës jeta i ka ndryshuar 360 gradë me ardhjen e Lukasit në jetë. Ai padyshim tashmë është kryefjala e ditëve të primabalerinës dhe për këtë ajo është shumë e lumtur dhe e bekuar, por Adela ka zgjedhur që t’i rikthehet edhe punës dhe projekteve të saj duke arritur më së miri t’i bëjë të gjitha!
Vetëm pak muaj më parë jeni bërë nënë për herë të parë, na tregoni pak për emocionet dhe ndjesitë e këtij momenti të rëndësishëm në jetën tuaj?
Ky është momenti më i bukur i jetës sime, kam provuar emocione që nuk i kisha përjetuar në asnjë çast. Ardhja në jetë e Lukasit është një bekim për mua dhe një mrekulli që po përjetoj. Kur kam dëgjuar të qarën e parë të Lukasit mbaj mend që më ka rrahur zemra fort dhe aty kuptova çfarë do të thotë të duash më shumë se çdo gjë tjetër, dhe çfarë ndjen një nënë.
Djali quhet Lukas, një emër shumë i bukur, kush ja vendosi emrin?
Lukas ishte emri i parë që unë i thashë Heltonit që kur isha vetëm 4-muajshe shtatzënë. Më vonë bëmë një listë emrash që mund t’i vendosnim, dhe vetëm disa ditë para se të lindja, të dy bashkë në heshtje kishim zgjedhur Lukas.
Si ka ndryshuar jeta juaj pas ardhjes në jetë të djalit?
Jeta ime ka ndryshuar 360 gradë me ardhjen e Lukasit. Si fillim Lukasi është kryefjala e ditës sime, çdo gjë është në funksion të tij. Tanimë kam një jetë më intensive se më parë për shkak se unë kam nisur punën dhe karrierën direkt pas lindjes. Jeta ime ka më shumë energji, punë dhe momente magjike që mi dhuron Lukas. Koha me të është magjike, më ka mbushur me energji, dashuri, lumturi.
Çfarë mendon mami Adela, kujt i ngjan Lukasi?
Lukasi i ngjan shumë babit, Heltonit, por ka marrë edhe nga daja, Anxhelo. Por nëse e shikoj Lukasin dhe Heltonin janë kopje (qesh)
Cilat janë vështirësitë që keni hasur deri tani gjatë prindërimit?
Nuk do të them që kam hasur vështirësi në prindërim sepse ditën që bëhesh nënë brenda teje zgjohet një instinkt i veçantë. Sigurisht që është diçka e re në jetë dhe duhet të mësohesh me të, por kur shikoj sytë e Lukasit çdo gjë kalon dhe më duket normale. Unë për Lukasin kujdesem vetë gjithë kohën. Mundohem ta marr me vete kudo, përveç disa vendeve pune ku është e pamundur. Gjatë kësaj kohe Lukasi qëndron me mamin tim e cila është një mbështetje e madhe në jetën time (tani që jam nënë e kuptoj shumë mirë, dhe shpresoj që të jem sa 1/3 e nënës sime). Fëmija është një bekim dhe duhet shijuar..
Kthehemi pak pas në kohë, si e kujtoni periudhën e shtatzënisë dhe si e morët vesh lajmin e bukur të pritjes së ëmbël?
Kam patur një shtatzëni shumë të bukur dhe shumë të mbarë. Kam kërcyer deri 4-muajshe dhe jam ushtruar deri në muajin e tetë. Lukasi ishte një fëmijë i planifikuar dhe shumë i dëshiruar nga ne të dy. Në momentin që kam parë testin pozitiv mbaj mend ato lotët e gëzimit në sytë e mi dhe zemra që rrihte fort. Për femrën periudha e shtatzënisë, kur ndjen që brenda teje po krijohet një mrekulli, është periudha më e bukur.
Propozimi që ke marrë nga bashkëshorti mund të themi se ka qenë një ‘propozim ëndrrash’, e prisnit?
Po, ka qenë një propozim magjik si ato të princeshave. Jo nuk e prisja fare, pasi ishte 30-vjetori im. Heltoni bëri një ditëlindje surprizë dhe nuk e imagjinoja që do të më propozonte aty, përpara familjes sime, familjes së tij, miqve tanë.. U emocionova aq shumë sa Heltonin se kam dëgjuar tamam çfarë më tha (qesh).
Një primabalerinë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si do ta përshkruanit rrugëtimin tuaj deri tani?
Ka qenë një rrugë shumë e vështirë, kam patur shumë lodhje në karrierën time, shumë punë, shumë mund dhe shumë sakrifica, por jam e lumtur që kam arritur çdo gjë që kam dashur. Kam punuar me koreografët më në zë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Kam prekur disa nga skenat europiane. Jam pjesë e jurive ndërkombëtare, kam arritur të fitoj çmime si balerina më e mirë e vitit. Teatri i Operës dhe Baletit është shtëpia ime e dytë, pasi unë aty kaloj kohën më të madhe të ditës, dhe tashmë që kanë kaluar shumë vite jam krenare që kam qëndruar në vendin tim dhe kam kontribuar për shtëpinë tonë të madhe. Unë si Adelë mendoj që vërtet arti është i vështirë, por kur puna dhe pasioni janë bashkë, çdo gjë është e realizueshme.
“We are all made of stars” është projekti me të cilin jeni angazhuar së fundmi, si lindi ideja dhe ç’mund të na tregoni për të..
“We are all made of stars” nga vetë titulli është një projekt shumë i veçantë. Lindi si ide nga leksionet që unë dhe Anxhelo japim në Itali. Menduam të krijonim një projekt për të promovuar talentet e reja, në balet, kanto, instrument, aktrim, që nuk kanë mundësi të prekin skenën. Arritëm një sukses me 1600 pjesëmarrës dhe 150 të rinj që performuan në skenën e Amfiteatrit të Tiranës. Jam shumë e lumtur që realizuam një super produksion, duke dhuruar 4 orë show të vërtetë për publikun. Në atë mbrëmje u siguruan 16 bursa studimi për kërcimin që të trajnohen me pedagogë të La Scala dhe Winer Ballet, gjithashtu u dhuruan produksione këngësh, trajnime brenda vendit, bursa etj..
A keni një mesazh që dëshironi t’i jepni të gjitha nënave të reja..
Mesazhi më i mirë që dua t’i jap nënave të reja është; shijoni çdo moment me fëmijën tuaj dhe bëni më të mirën për ta. Jepni dashuri e ngrohësi dhe mbi të gjitha mos neglizhoni asnjëherë veten, të qenurit femër dhe karrierën, pasi duke mbajtur një balancë në jetën tuaj do të jeni të lumtura.
*Botuar në revistën BORDO print qershor 2022



















