Nga Nada Biraçi
Fotografia: Artan Korenica
Janë ditët e fundit të përgatitjes së ngjarjes më të rëndësishme televizive në mbarë Kosovën, ndaj në shkallët e koridoret e Klan Kosova turravrapi i Alaudin Hamitit nuk lë askënd indiferent. Big Brother VIP Kosova, projekti më i rëndësishëm në karrierën e moderatorit të njohur ka bërë që kjo të jetë periudha në të cilën shpesh emocione që kundërshtojnë njëra-tjetrën përplasen ndaj edhe Alaudini me të drejtë në këtë rrëfim ekskluziv për Bordo të gjithë periudhën e përgatitjes e quan një karusel përjetimesh…
Jeni në ditët e fundit të përgatitjes për Big Brother VIP Kosova. Si ka qenë kjo periudhë për ju?
Këta muaj, këto ditë kanë qenë si të jesh në një karusel që të dhuron shumë emocione, luhatje disponimi, takime të shumta, të qeshura por edhe punë nervash. Eshtë një nga eksperiencat që emocionalisht të mban konstant në gjendje alerti.
Cilat kanë qenë sfidat dhe vështirësitë me të cilat jeni hasur që prej firmosjes së kontratës me Endemol?
Sfidat me të cilat jemi pëballur kanë qenë të shumta, gjithsesi më e madhja është ndërtimi i shtëpise së Big Brother ku gjithçka nisi nga pika zero. Jashta kësaj, të punosh në një projekt kaq ambicioz e që për herë të parë po ndodh në Kosovë, është si të hapësh televizion nga e para.
Kur nis Big Brother VIP? Sa herë në javë do të transmetohet spektakli?
Spektakli do të transmetohet dy herë në javë, dy kanale 24/7 ku shikuesit do t’i shohin banorët dhe mishërohen me ta.
Mbi ç’bazë kriteresh i keni zgjedhur banorët e edicionit të parë të Kosovës?
Formati i Big Brother ka disa direktiva të cilat secili duhet t’i përmbahet. Ne kemi përcjellur linjën e tyre duke shtuar edhe përvojën tonë televizive. Kosova ka individë shumë interesantë, qëllimi ka qenë që të kemi diversitet në kastin tonë dhe këtë besoj ja kemi arritur. Mezi po pres që t’i shihni. Do ketë personazhe të cilët janë shumë të dashur për publikun, personazhe të cilët e duan një shans të dytë në showbiz, personazhe të cilët janë kontravers… kaq mjafton per kureshtje…
Ka qenë e vështirë për të bindur VIP-at që të bëhen banorë të shtëpisë? Do të ketë të famshëm nga Shqipëria? A mund të zbuloni ndonjë emër?
Kjo është sfidë më vete pastaj. Nuk është se ka qenë vështirë që të binden për të qenë pjesë e Bigut, por pothuajse shumica kanë pas hezitimet e tyre lidhur me ngujimin 100 ditor brenda shtëpisë. Gjithsesi ka pas edhe të tillë që në takimin e parë jemi dakorduar. Patjetër do të ketë pjesemarrës edhe nga Shqipëria.
Keni patur ndonjë kërkesë apo kusht të çuditshëm që ju kanë vënë VIP-at?
Kemi patur pyetje të shumta të cilat ende vazhdojnë në këtë moment kur po e bëjmë këtë intervistë. Kërkesa të çuditshme nuk e di nëse mund të quhen, por kanë kërkuar të ketë piano në shtëpi, xhakuzi dhe palestër ndër të tjera.
Që herët, vite më parë keni shprehur dëshirën për të patur në krahun tuaj si moderatore Jonida Vokshin. Emri i saj si moderatore e Big Brother Kosova ishte sugjerim i juaji?
Me Jonidën njihemi qysh moti, kemi patur disa eksperienca televizive së bashku dhe kimia nuk ka munguar, andaj si bashkëprezantuese nga Shqipëria Jonida ka qenë padiskutim zgjedhja e secilit prej nesh në bord.
Çfarë mendoni se do t’i sillni secili prej jush këtij spektakli?
Kisha dashur që këtij spektakli t’i sjellim pozitivitet, rrëfime motivuese, natyrisht edhe pak dramë nuk do t’i bënte keq. Personalisht mendoj që jam një tip i qetë dhe mbi gjitha dëgjues i mirë. Përvoja ime televizive do më lejojë të mos tjetërsohem sepse vetëm kështu do jem në element. Njësoj mendoj që Jonida do të ketë inputin e saj me energjinë pozitive që ka.
Ju njiheni për një stil tejet avanguard sa i përket veshjes; kujt do t’ja besoni dukjen tuaj në spektakël?
Të them të drejtën së fundi kam filluar të merrem pak me këtë pjesë. Formati do më mbajë në korniza të klasikes dhe elegantes sepse ashtu më pëlqen. Vizionin se si dua të dukem (edhe pse nuk mendoj që ka shumë rëndësi) ja besoj vetes dhe pastaj jam duke shikuar opsione me një brand këtu në Prishtinë se sa mund të lëvizim në kreativitet por që do të duket minimal.
Në një intervistë të dhënë për Bordo disa vite më parë më keni thënë se Prishtina bën televizion më mirë se Tirana. Do të thotë kjo se do të kemi një Big Brother në Kosovë më të mirë se ky në Shqipëri?
E kam thënë në aspektin që në Kosovë gjithmonë kemi qenë të detyruar të improvizojmë dhe të tregohemi kreativë me buxhete qesharake per të mos thënë zero për realizimit e emisioneve. Sa i përket spektakleve Tirana e ka mbajt pishtarin, tash ne kemi kohën të nisim një rrugëtim të tillë me Big Brother dhe jam shumë i bindur që do të jetë diçka e bukur.
Arbana Osmani është moderatoja ikonike e këtij reality show në Shqipëri; a ju ka uruar ajo? Keni komunikuar? I keni kërkuar ndonjë këshillë?
Me Arbanën njihemi ndër vite, kemi një miqësi instagramore ku herë pas herë komunikojmë. Së fundmi jemi takur në Lisbonë, ajo dhe Edi më uruan suksese dhe ndamë disa halle rreth Big-ut.
Ju jeni prej 20 vitesh pjesë e televizionit; a është ky projekt më sfiduesi në karrierën tuaj?
Patjetër që po. Eshtë industri më vete me, mbi 100 të punësuar shto këtu gjithë këtë eksperiencë që po përjetojmë më duket sikurse të gjithë kemi dalë nga (comfort zone) gjë që na është dashur. Pas Big Brother, secili prej nesh që është pjesë e projektit do ta ketë një pasqyrë reale se si do duan të zhvillojnë televizionin në Prishtinë.
Po me programin NIN ç’do të ndodhë?
Pas 518 puntatash dhe gjashtë vite në transmetim, NIN dha lamtumirën në gusht të vitit të kaluar më një program dhe theu rekordet e shikueshmërisë atë periudhë. Ka qenë një nga projektet më të dashura të mia dhe vendimi për ta ndalur ishte i vështirë, por i duhur. Doja që NIN sa është në kulm të mbarojë. Kështu ndodhi.
Emri Alaudin është shumë i rrallë kush jua ka vënë dhe çfarë domethënie ka?
Mami ishte në dilemë në do më quante Florent apo Alaudin?! Si përfundim më zgjodhën këtë emër të cilin ma dha gjyshja.
Eshtë musliman dhe lidhet me fisnikërinë e besimit.
A beson se emri përcakton në një farë mënyre fatin e dikujt?
(Qesh) po të ishtë kështu do isha imam.
Botuar në BORDO, Nëntor 2022!



















