KreuFashion

Barcelona: Një udhëtim në qytetin kozmopolit, mes arkitekturës së Gaudit, ushqimeve me shije unike, muzeumeve të artit botëror dhe hoteleve të rafinuar. 

Një udhëtim në qytetin kozmopolit, mes arkitekturës frymëzuese të Gaudit, ushqimeve me shije unike, muzeumeve me kryeveprat e artit botëror dhe hoteleve me stil të rafinuar.

E vendosur përgjatë skajit verilindor të bregut të Mesdheut të Spanjës, Barcelona është një qytet i cili ka gjallërinë dhe perspektivën gjithnjë në ndryshim të një kaleidoskopi. Sapo keni vendosur këmbën aty, do të magjepseni nga kultura, arkitektura, por edhe labirinthet e rrugicave të ngushta mesjetare, ku ndërtesat janë aq pranë njëra-tjetrës, sa nëse zgjat dorën nga dritarja mund të shtrëngosh duart me banorin përballë.

Pasi të keni bërë një xhiro nëpër qytet, shkoni në Parkun Güell, një mrekulli e arkitekturës së shekullit të 20-të, e cila shpreh qartazi vizionin e Antoni Gaudí, një prej arkitektëve më me imagjinatë në botë. Ajo që do të vini re te krijimet e Gaudit, është ekstravaganca gotike e ndërtesave përrallore, përmes të cilave ngërthehen skulpturat e hardhucave shumëngjyrëshe të qeramikës, përzier me përbindëshat që duket sikur dalin nga historitë e përrallave. Në fakt është kaq e dukshme kjo frymë në Barcelonë, ku do të kuptoni sesi ky qytet trashëgon në ADN-në e tij një dinamizëm kulturor që marshon nëpër horizont nga e shkuara deri në ditët e sotme.

Ky qytet konsiderohet një ndër të pakta vende, ku horizontet janë magjepsës, ndaj zgjidhni të bëni një tur në pikat prej nga mund të shikoni pikërisht panoramën më të bukur. Ju propozojmë të merrni ashensorin dhe të ngjiteni në çatinë marramendëse të La Seu, katedralja e shekullit të 15-të e cila gjendet në zemër të qytetit të vjetër, prej nga mund të soditni statujën 200 metra të lartë të Kristofor Kolombit, e cila tregon pamjen përtej detit drejt Botës së Re. Në distancë, do të dalloni majat e bazilikës së madhe Sagrada Família, e konsideruar si kryevepra e përjetshme e Gaudit. Ndërtimi i saj filloi në 1882 dhe ende mbetet një vepër e paplotë. Në brendësi të kishës, i vetmi tingull që mund të dëgjohet, është zhurma e rosave që kanë pushtuar manastiret aty pranë për shekuj me radhë.

I konsideruar parajsa e turizmit kulturor në Barcelonë, vizitoni Muzeun e Pikasos, tempulli dedikuar artistit të madh, për të cilin qyteti ishte vendi që formësoi imagjinatat e tij në kryevepra botërore. Sekuenca befasuese të pikturave të frymëzuara nga Velázquez janë pjesë e një koleksioni që përfshin gjithashtu edhe punime në qeramikë. Po kaq interesant është Muzeu i Artit Bashkëkohor, shtëpia e disa punëve të çmuara të artistëve vendas, nga JoanMiró tek AnniAlbers.

Mëngjeset janë shumë të bukura në Barcelonë, ndaj mund të filloni një ecje në La Rambla, më e njohura nga rrugët me pemë të qytetit, prej nga mund të kundroni Teatrin e shkëlqyer të Operës me një arkitekturë tipike të shekullit të 19-të. Aty pranë gjendet edhe tregu 800-vjeçar “Boqueria”, nëpër rrugicat e të cilit do të ndjeni aromën e ushqimeve dhe erëzave, frutave të thata dhe produkteve të freskëta të detit, një pamje e cila sidomos në mëngjes është gjithnjë plot gjallëri.

Në kahun tjetër të La Rambla, ngjitur me detin përzier me të rinj që patinojnë gjithë kohës mbi asfalt, mund të provoni ushqimin ikonik të Spanjës, një paella me kallamar, më e mira që keni provuar në jetën tuaj. Nëse ecni në fund të rrugicës, mund të shkoni në Soho House, një hotel me stil art deko, dritaret e të cilit kanë pamje nga deti, një panoramë e mbushur me ajrin e detit, anijet me vela dhe jahtet që lëvizin mbi ujërat kaltëroshe. Për drekën mund të zgjidhni Cecconi, një restorant kozmopolitan, ndërsa në fund shkoni drejt barit me shezlongët dhe pishinën elegante në çati, prej nga shihet perëndimi i diellit.

Spanja në përgjithësi është e shtrenjtë, sidomos për akomodimin dhe ushqimin, por mundësitë e zgjedhjet janë të pafundme, qoftë për ata që kanë një buxhet të kufizuar, por edhe ata që duan të shijojnë gjithçka pa marrë parasysh kostot. Për ata që kërkojnë stil të shkëlqyer, hotel “El Palace” mbart ende magjepsjen prej kadifeje të praruar dhe të kuqe të gërshetuar epokën e xhazit të vitit 1919.

Aty mund të provoni mëngjesin në rrezet e diellit në konservatorin duke shijuar një çaj në Piano Bar, shoqëruar me sanduiçe ose petulla me reçel. Për darkën shkoni në “Blusman Cocktail Bar”, ku Ronnie Wood, rokeri i grupit “Rolling Stones” shpesh kalonte mbrëmjet me miqtë. Një ashensor me panele të drunjta të çon në suitë, e cila ka një banjë me madhësi pishine, e punuar e gjitha me mermer, e përballë një pasqyrë e madhe me kornizë ari, e cila me lëvizjen e një çelësi, mund të kthehet në një televizor. Ky hotel gjatë shekullit të 21-të kishte një atmosferë hedoniste me të ftuar special mes të cilëve: Salvador Dalí dhe Gina Lollobrigida, yje të një epoke të shkuar, por që shpirtrat e të cilëve enden sërish aty.

 

Ndërkohë, hotel “Mandarin Oriental”, një tjetër aventurë luksoze ku gërshetohet stili dhe eleganca e rafinuar, ku më e veçanta është një mur i mbushur me qindra kasaforta prej argjendi që dikur mbanin sendet e çmuara të klientëve që e vizitonin atë rregullisht. Hoteli ka një restorant me një yll Michelin, shefi i së cilës ofron një turne gastronomik me shije nga e gjithë bota, duke servirur një darkë me 12 pjata.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF