
Disa rrethana në jetën e njeriut vendosin pikërisht atë që ai do të jetë në të ardhmen. Për Feridiola Berberin, një fëmijë nga Berati, e ardhmja u shkrua që me vendosjen e saj në Itali
në moshën 6-vjeçare. Me familjen ajo emigroi në Firence, ku jetoi 25 vitet e ardhshme të jetës së saj. Dhuntia e saj artistike nisi që me shpërnguljen e saj në Itali, ku për shkak të këtij ndryshimi, edhe pse e vogël, loja e saj e re do të bëhej “pikturimi”. Në moshën 13-vjeçare, talenti i saj ra në sy të mësuesve të shkollës, të cilët e shtynë që të vazhdonte shkollën e mesme për studime artistike.
E goditur nga bukuria e kësaj ndërtese, “muzeu” që është “Istituto d’arte di Porta Romana” në Firence, Diola vazhdon ciklin pesëvjeçar të studimeve me shumë vendosmëri dhe pasion, duke arritur këtu një njohuri të thelluar të teknikave të ndryshme të aplikuara në faza dydimensionale.
Veprat e saja bien menjëherë në sy dhe përzgjidhet në vitet 2006-2007 për projekte të ndryshme shtetërore në provincën e Firences, të cilat vazhdojnë të jenë të ekspozuara aty edhe sot, duke përfshirë: një instalim 300x180cm, i pikturuar në pleksiglas me ndriçim të pasmë, për stacionin e trenit Santa Maria Novella në Firence; Pikturë 100x70cm për departamentin e kardiologjisë në spitalin “Ponte a Niccheri” në Firence.
Më pas filloi studimet në Fakultetin e Arkitekturës në Firence, me specializim në “Dizajn Industrial” me synimin për të krijuar arredime të personalizuara dhe për të krijuar tendenca të reja falë artit të saj. E shtyrë nga pasioni dhe dëshira për të krijuar identitetin e saj artistik, ajo zhvillon teknikën e saj me “reliev” me shumë materiale, duke u prirur drejt abstraktes, por gjithsesi duke marrë gjithmonë frymëzim nga natyra. Në pikturat e saja mund të shihni praninë e një pigmenti të errët si baza e sfondit, thellësia është marrë përmes teknikës së vjetër të perspektivës ajrore të rishikuar, domethënë një ngjyrë gjithnjë e më të lehtë, me hije deri në një të bardhë intensive.
Drita në pikturat e saja të arrin herë si një rreze dielli, herë të tjera si një dritë e bardhë, si për të përshkruar vizionin e saj të qartë të jetës. Kjo ndodh për shkak të një kromatizmi të dhunshëm, të përdorur me dëshirë në mënyrë që drita e bardhë të arrijë te shikuesi si një simbol i pozitivitetit, shpresës dhe lehtësimit shpirtëror. Pas ciklit universitar Diola vendos të fillojë një karrierë si ‘freelancer’ në mbarë botën, duke përfshirë Rusinë, Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Shqipërinë.
Pikturat e saja aktualisht porositen nga klientë që jetojnë në Itali, Angli, Zvicër, Kosovë, Francë, Dubai, Arabinë Saudite etj. Por produkti që mbetet më unik janë padyshim muret
dekorative që bën. Në vitin 2019 merr pjesë me produktet e saja në “Indecor” në
“Salone del mobile Moscow” në Rusi. Pas pandemisë vendosi të rikthehet në Shqipëri dhe të fillojë bashkëpunime të reja me studiot arkitekturore vendase dhe me projekte për hotele me 5 yje në ndërtim vendase, edhe në ato në Arabinë Saudite.
Pikturat e Diolës janë abstrakte dhe bëhen në varësi të arredimit. “Veçoria e teknikës është që përbërjen kimike që unë kam shpikur e bën pikturën të përshtatet me tonalitet e ambientit në një afat kohor 2 deri në 10 muaj. Ka patur raste që piktura është dorëzuar ngjyrë gri dhe pas një viti ka marrë nuancat jeshile”, tregon Diola për BORDO.
Me siguri, që pas këtij leximi jeni bërë edhe më kuriozë për të njohur Diolën dhe artin e saj. Është fare e thjeshtë. E gjeni në Instagram me punët e saj fantastike: feridola_berberi