
Prestigjiozja britanike “The Guardian” në një artikull kushtuar vendeve që duhet të vizitohen me patjetër gjatë këtij sezoni turistik nuk ka përjashtuar as vendin tonë. “Një plazh ndryshe çdo ditë, në Shqipëri. Mund të mos jetë vendi që ju vjen menjëherë në mendje kur mendoni për pushime, por resortet që janë gjysmë ore larg nga kryeqyteti ofrojnë plazhe të mrekullueshme”, shkruan “The Guardian”.
“Shtrirja e gjatë e vijës bregdetare në formë gjysmëhëne ofron diell gjatë gjithë ditës dhe hapja e Shqipërisë pas vitesh kufizimesh ndihmon në mbajtjen e çmimeve konkurruese, veçanërisht pas konvertimit të paundëve në monedhën vendase. Një opsion i lirë për të arritur atje, është të fluturohet për në Korfuz dhe më pas të merret një traget për rreth 20 € në çdo drejtim.
Shteti i vogël ballkanik, dikur i mbyllur hermetikisht nga bota e jashtme, është rritur në popullaritet për shkak të një reputacioni që shihet gjithnjë e më shumë si trend dhe ekzotik. Vitin e kaluar ai tërhoqi 7,5 milionë vizitorë, më shumë se dyfishi i popullsisë së tij, nga një tjetër rekord prej 6,4 milionë në 2019”, vijon më tej prestigjiozja britanike.
Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria listohet mnga mediat ndërkombëtare si një nga vendet që duhet të vizitohet patjetër.