
Shumë njerëz e njohin shtëpinë e modës Maison Margiela, por pak krijuesin e saj, Martin Margiela. Veshjet e tij janë të veçanta për shkak të vëmendjes ndaj detajeve. Ai mendon për gjithçka, nga mansheta e një xhakete, deri tek lartësia e shpatullës. Konsiderohet i pari stilist, i cili duke ripërdorur dhe modifikuar veshjet ekzistuese realizoi krijime të reja.
Shija për modën
Martin Margiela lindi në 1957 në qytetin belg Gent. Kur ishte adoleshent shkonte në tregun e rrobave të përdorura dhe me to krijonte stilin e tij. Martin e mori shijen e parë të modës teksa shihte një shfaqje televizive të Paco Rabanne. “Sapo pashë dizajnet e tyre mendova: ata po bëjnë atë që dua të bëj në jetë”.
Jokenvencional
Nisi të punonte si asistent i Jean Paul Gaultier, por u largua pas dy vitesh duke krijuar me bashkëshorten dhe partneren e tij në biznes markën Maison Martin Margiela. Ai nuk ishte i fiksuar pas bukurisë tradicionale, adhuronte femrat me hundë të madhe dhe zgjidhte modele me pamje jokonvencionale.
Drejtor i Hermès
Edhe pse kishte markën e tij, ai ishte Drejtori Kreativ i shtëpisë së modës Hermès, duke krijuar veshjet e luksit. Edhe pse shumicën e kohës ishte në qendër të kritikave për shkak se puna e tij nuk përputhej me shijet e klientëvë tradicionalë të Hermès, të cilët mendonin se puna e Martinit ishte shumë e çuditshme.
Çizmet Tabi
Marka e tij u karakterizua nga rebelizmi. Modelet e pazakonta të çizmeve Tabi edhe pse fillimisht u konsideruan aq të çuditshme sa nuk mund t’i blinte njeri, ato ishin një stil krejt ndryshe duke u kthyer në ikonën e aksesorëve. Arsyeja e krijimeve të rralla të Margiela ishte sepse karakterizohej nga stili dekonstruktiv.
Riciklimi
Margiela i shndërronte plehrat në thesar. Ai ricikloi veshjet e tij duke i përshtatur për koleksionet e reja. Përdorte materiale të lira dhe shpesh vendoste në shalle apo pallto zbukurime nga pema e Krishtlindjes. Ai prodhoi koleksione të mahnitshme artizanale të qepura me dorë, si doreza të vjetra apo kravata të hedhura.