KreuFashion

6 libra të rinj, sugjeruar nga Bordo!

6 libra të rinj, sugjeruar nga Bordo!

Gjak i trazuar

Autori: Robert Gabraith/ Çmimi: 2000 lekë

Detektivi Kormoran Strajk gjendet në Kornuell, kur i afrohet një grua që i kërkon ndihmë për të gjetur nënën e saj, e zhdukur në rrethana misterioze prej 40 vjetësh. Por megjithëse shanset për sukses thuajse nuk ekzistojnë, kureshtja fiton. Ai ndjek të gjitha pistat e zhdukjes dhe ndeshet me një çështje djallëzisht komplekse, me pista që përfshijnë letra tarot, një vrasës serial psikopat aq sa as dëshmitarëve nuk mund t’u besohet. Por papritur ai mëson se edhe rastet e vjetra prej kohësh, mund të shkaktojnë vdekje të tjera.

Misteri i trenit blu

Autori: Agatha Christie/ Çmimi: 800 lekë

Treni i bukur blu i multimiliarderëve përshkon hekurudhën që lidh Londrën me plazhet e rivierës franceze, një vend ku nuk mungojnë skandalet dhe krimi mund të nxjerrë kokën pas çdo dere. Në një prej vagonëve Ruth Keteringu, bija e miliarderit Van Aldin dhe gruaja e një lordi anglez, gjendet e vdekur, e bashkë me të zhduket varësja e saj e çmuar, të cilën e ruante si sytë e ballit. Në tren gjendet Herkul Puaroi, detektivi me një nuhatje të hollë, i cili përfshihet në hetime dhe nxjerrë në dritë një intrigë të jashtëzakonshme.

Letër babait

Autori: Franz Kafka/ Çmimi: 700 lekë

“Gjithçka është faji i babait: nëse kam shqetësime prej seksualitetit, nëse nuk arrij të martohem, nëse shkruaj, nëse rri kokëulur në këtë botë…” Kafka e di se kjo letër e vonuar nuk ka asgjë të vërtetë, por janë motive plotësisht pozitive nga pikëpamja e libidos, dhe s’janë veprime që vijnë nga marrëdhënia me babain. Kafka kalon nga Edipi klasik, i tipit neurotik, ku babai i dashur është i urryer, tek një Edip shumë më pervers, që zmbrapset te hipoteza e një “shkatërrimi” të përbashkët babë dhe bir…

Tulipanë të vonuar

Autori: Flutura Açka/ Çmimi: 1000 lekë

Fantazma distopike shfaqen në kohë pandemie, flutura të ardhura nga botëra të tjera, koleksionistë të dehur thikash, gra që ecin pikëpyetjeve të jetës, fatalitete pa kohë që iu fanepsen të gjallëve në fundin e kohës së tyre biologjike, një gjindje plot larushi që ndërton shpesh surreale, me gjeografi të gjerë të atdheut të autores, Europës së sotme dhe jo vetëm. Kjo botë pikturohet me nota të stilit të njohur të saj, një galeri qeniesh magjike që e kthejnë këtë libër ndër më të veçantët dhe të rëndësishmit të autores.

Lodra e tërbuar

Autori: Roberto Arlt/ Çmimi: 1000 lekë

Silvio Astier, një djalosh nga Buenos Airesi rrëfen ngjarje që nisin nga fëmijëria, kur do t’i duhet të rritet me të shpejtë. Rravgimet e mëpasme do të kenë kthesa të mprehta dhe pasoja të ashpra për Astierin: një vjedhje me shokët e fëmijërisë, nevoja për një punë të mirë, dëshira për të studiuar, e bëjnë atë një bashkëpunëtor në një tjetër krim. Arlt rrëfen presionet ekstreme dhe kontradiktat e pazgjidhshme të jetës në mjedisin urban modern, ku fati i njeriut të thjeshtë ngjan i paracaktuar dhe përherë i zymtë.

Sekreti i engjëjve

Autori: Camilla Lackberg/ Çmimi: 1500 lekë

Eba kthehet në ishullin e fëmijërisë, aty ku një prag Pashke shumë vite më parë, familja e saj u zhduk. Për Ebën nuk ka qetësi. Dikush kërkon ta largojë, duke e fshehur sekretin e ishullit. Pas një zjarri që shpërtheu natën, kërcënimet bëhen gjithnjë e më këmbëngulëse: Eba kupton që dikush dëshiron vdekjen e saj. Duke filluar nga një indicie e dobët, e cila e ka çuar në një të shkuar të largët, në fillim të shekullit të kaluar, kur ajo njohu një “fabrikuese të mistershme engjëjsh”, nis edhe të zbulohet gjithë e vërteta…!

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF