
Nga Ilda Lumani
Fotografia: Armand Habazaj
Këtë kopertinë, e kisha në kokën time shumë kohë më herët, ndoshta edhe një vit më parë. Orinda Huta dhe vajza e saj Atara do të ishin dyshja perfekte për “Bordo Kids”. Dhe në fakt e dija, që seti fotografik që mam e bijë do të bënin, do të kishte gjithë ëmbëlsinë e mundshme. Dhe në fakt, çdo foto e tij është e preferuara ime. Kjo, sepse dy personazhet tona (Atara është personazh që në ditën 1 të saj!) janë tashmë të preferuarit e të gjithëve. Kush ndjek Orindën në rrjet, nuk mund të mos ndjek Atarën, dhe kush ndjek Orindën di shumë mirë axhendën e Atarës, kjo sepse në këto dy vite profili i Orindës është i pandashëm nga ai i Atarës. Rutina e tyre e ëmbël, videot e thjeshta, ku nuk është rregulli ai që dominon, por natyraliteti, fëmijëria e vërtetë, që rrallë e shoh në rrjet; Atara duke ngrënë, me buzët gjithë ushqim, me përparëset me pikla nga dreka e sapongrënë, lojërat e saj me Rubin (qenin e familjes), me mamin e padyshim me babin, Turjan Hyska, i cili ka dëshmuar një tjetër anë të tij, janë pasqyra frymëzuese e një profili ndryshe që ofrohet sot në rrjet.
Në këtë bisedë me Orinda Hutën, autoren dhe prezantuesen e programit më të suksesshëm të lifestyle-it sot në vend, “Jo Vetëm Modë” (që transmetohet në RTV KLAN) do të zbuloni shumë për rolin e mëmësisë në epokën digjitale dhe jo vetëm.
Me një ‘look’ mam e bijë nga “Coin Albania”, të dyja kanë shpalosur edhe tendencat e fundit të kësaj vere. Shijojeni!
Orinda është kopertina e parë që bën me Atarën. Si është për ty ky moment? E kishe menduar që do të vinte koha që ti do të bëjë fotografi e intervista me të voglën tënde?
Unë dhe Atara jemi të pandara tashmë. Ajo e ka ndryshuar dhe bërë fantastike jetën time. Arsyeja që lutjet e falënderimet e mia ndaj Zotit janë shtuar edhe më shumë gjatë ditës. Nuk e kisha menduar që do të pozoja me vajzën time, sepse nuk kam qenë e bindur më parë nëse do ta ekspozoja në publik.
Ndryshe nga shumë prindër që preferojnë t’i mbajnë larg vëmendjes së publikut fëmijët, ti që ditën e parë e në vijim e ke bërë prezent vajzën në median sociale pa hezitim. Madje, Atara ka edhe një faqe Instagrami të vetën. Përse ky vendim?
Duke e filluar me hapjen e Instagramit. E kam hapur vetëm një javë para se Atara të vinte në jetë dhe ishte kërkesë e Turjanit, aspak me qëllimin për ta bërë aktive, por thjesht që mos ta hapte dikush tjetër pas lindjes së saj. Ishte më shumë si bllokim i emrit në këtë rrjet social. Atara u bë publike nga Turjani që në orën e parë të lindjes dhe ishte vendim i momentit të fundit. Ne nuk e kishim diskutuar kurrë më parë nëse do ta ekspozonim. Ishte rastësi e cila më pas u bë thjesht e natyrshme, sepse unë kaloja e kaloj shumë kohë me Atarën.
Të kanë bërë ndonjë vërejtje në rrjet apo sugjerim për këtë pjesë, ekspozimin e vajzës?
Në fakt, në faqen time të Instagramit nuk kam patur ndjekës që kanë bërë vërejtje për ekspozimin, por kur nuk jam aktive me videot e saj. Faqja ime është bërë më shumë si faqja e Atarës dhe ndjekësit e preferojnë shumë këtë gjë. Mua më vjen natyrshëm, pasi kaloj kohë me të dhe gjithë lumturinë që unë marr përpiqem ta tregoj sa mundem. Mendoj që rrjetet sociale kanë nevojë për këtë frymë pozitive dhe fëmijët e transmetojnë më lehtë këtë.
Çfarë ka ndryshuar pas lindjes?
Kanë ndryshuar shumë gjëra, duke nisur me prioritetet e mia. Atara është gjithmonë e para. Ardhja në jetë e një fëmije domosdo do ta ndryshojë jetën dhe faleminderit Zotit e bën më të bukur. Koha e lirë i dedikohet vetëm Atarës. Unë gjithnjë kam qenë duke vrapuar, por tani nuk ndalem. Çdo hapësirë që më jepet për të kaluar kohë me të, unë nuk e mendoj dy herë. Ajo është thuajse 23-muajshe tani dhe sërish nuk jam në gjendje të them se duhet të kaloj dhe pak kohë me veten. Jo nuk e kam harruar veten sepse kujdesem shumë, shfrytëzoj çdo sekondë. Ah, edhe diçka tjetër ka ndryshuar. Dikur kam pas fjetur 8-9 orë dhe kurrë nuk kam patur probleme me gjumin. Ky fat i mirë ka shkuar tashmë ?
Pesha?
Unë jam ndjekur në mënyrë rigoroze nga gjinekologu dhe dietologia gjatë gjithë shtatzënisë, që mos të shtoja asnjë kg më shumë se 10. E kështu ndodhi. Humbja e kilogramëve të shtatzënisë ka qenë shumë e thjeshtë. I vetmi problem është që unë dua të humbasë më shumë se para shtatzënisë dhe këtu fillon beteja që ndonjëherë e humbas.
Sa orë gjumë fle?
Minimumi 6 orë patjetër, ndryshe nuk funksionoj. E kam shumë të rëndësishëm gjumin dhe falë Zotit, Atara ka qenë e mbarë. Synimi im që në muajin e parë ka qenë që ajo të futej në një rutinë të shkëlqyer gjumi dhe kështu ndodhi. Kam lexuar dhe ndjekur shembujt më të mirë për gjumin. Kurrë nuk e kam sakrifikuar orarin e gjumit të saj për arsye të jashtme.
Të zgjon ora e ziles apo zëri i Atarës?
Në të shumtën e rasteve më zgjon zëri Atarës. U bë kohë që nuk kam nevojë për zilen e orës. Edhe kur kam ndihmë nënat në shtëpi, rrallë ia lejoj vetes të fle 2 orë më shumë se ajo.
Kush ja bën ushqimet Atarës?
Ka qenë ekskluzivisht kujdesi im edhe në këtë pikë. Gjithnjë kam patur pasion për gatimin dhe eksploroja receta të reja vazhdimisht. Ardhja në jetë e Atarës e shtoi më shumë këtë dëshirë. Jam abonuar në disa programe për recetat e fëmijëve, që më kanë ndihmuar shumë në fillimet e solidit. Tani, ajo ushqehet njësoj si ne, edhe pse unë shpesh i bëj receta të veçanta. Kjo më ndihmon të zbuloj shije të reja edhe për familjen.
A fle ndonjëherë në krevatin tuaj vajza?
Poo, ka fjetur dhe këto janë “vese të këqija” që mësohen kur fëmijët sëmuren. Kështu ka ndodhur dhe me të, edhe pse fle në mënyrë të pavarur në përditshmëri. Unë nuk jam drastike në këtë pikë tani në moshën e Atarës. Në fillime kurrsesi nuk kam pranuar, qoftë edhe për sigurinë e saj. Kur janë bebe, jam plotësisht kundër ndarjes së shtratit. Lidhjen e kam shumë të fortë me Atarën, edhe pse flemë në krevate të ndryshme.
Fjala e parë që ka thënë Atara?
Mami dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
Cila është dëshira juaj, për një motër apo vëlla për Atarën?
Në lutjet tona drejt Zotit është gjithnjë dëshira për të patur familje të madhe. Shpresoj që Perëndia t’i përgjigjet lutjeve tona, ashtu siç bëri me Atarën.
Sa herë i thua “Mos” apo “Jo” Atarës?
Disa herë, edhe pse përpiqem që ta frenoj veten dhe të kujdesem në përzgjedhjen e fjalëve dhe komunikimit. Shpesh është e pashmangshme për shkak të presionit të punëve, ditës, angazhimeve. Fjala “mos” është për t’i rënë shkurt komunikimit dhe kjo vjen si pasojë e ndarjes së kohës edhe me punën.
Përse e frenon?
Nuk dua të prekë celularin, për shembull. Dua ta shtyj sa më shumë kohën që do të vijë kur do ta mbajë në dorë. I kam thënë, “mos” kur kërkon të laget me ujë, ndërkohë unë e kam ndërruar për herë të gjashtë gjatë asaj dite. Kur kërkon të futet në det kur temperaturat janë ende të ulëta. Megjithatë përpiqem që të ndërtoj një komunikim më të për të evituar fjalën, “mos”.
Për çfarë nuk i thua “Jo”?
Të eci vetë, të vrapojë, të luajw, të bëhet pis, të rrëzohet, të shijojë kohën, ushqimin, të dojë kafshët, të përqafojë.
Çfarë të tremb për të ardhmen?
Nuk jetoj me asnjë frikë.. mendoj që Perëndia ka planin e tij për secilin prej nesh dhe frika i bën keq besimit, marrëdhënies, dashurisë.
Shpesh ka një konflikt me mënyrën sesi gjyshërit i orientojnë, apo përkëdhelin nipat dhe mbesat, dhe asaj që vetë prindërit duan të bëjnë. Ju si e keni zgjidhur këtë raport? Kush lëshon më shumë pe?
Atara kalon më shumë kohë me mamin e Turjanit dhe ajo ka qenë fantastike në ndjekjen e rutinës që unë i kam vendosur vajzës qoftë në ushqim, gjumë apo argëtim. Nuk më është dashur përpjekje e madhe për të krijuar këtë marrëdhënie. Kam qenë e bekuar! Atara ka fatin ta ketë dashurinë e gjyshërve dhe unë jam shumë e lumtur për këtë.
Ke filluar të mbledhësh kujtime për Atarën? I ke ruajtur flokët e parë apo veshjet e para, a ndonjë detaj tjetër?
Po, kam nisur që me veshjen e maternitetit. Këmishën e fatit, flokët që ia preu motra ime. Gjurmët e dorës apo këmbës. Kam një kuti ku kam mbledhur disa prej kujtimeve të ditëve të para. I kam shkruar në një libër shumë gjëra që kanë ndodhur e në vazhdim. Sa i përket veshjeve dhe ruajtjes së tyre, unë nuk kam dhuruar dhe nuk kam ndërmend të dhuroj veshje të Atarës. Një pjesë e mirë e tyre janë veshje të shpejta sepse janë bërë me njolla dhe nuk vlejnë të ruhen.
Atara ka pirë qumësht gjiri? Deri në çfarë moshe?
Po, Atara ka pirë qumësht gjiri deri 8 muaj e gjysmë. Jam përpjekur shumë që ta mbaj në çdo formë. I kam provuar të gjitha. Edhe pse gjidhënia ka qenë një ndër etapat më të vështira, unë e kujtoj edhe si më të bukurën. Më mrekullon ai proces dhe e kam shijuar pafund me Atarën time.




Altea Alushi; Poezia, si një film










Pak nga romanca e Sarës dhe Ledionit!





